Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha në emisionin Now se partitë e vogla që garojnë më vete ose në koalicion pa një parti të madhe i shërbejnë Edi Ramës nëse nuk arrijnë të marrin dot asnjë mandat në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas tij, e vetmja mënyrë që votat të përkthehen në mandate në këtë sistem që kemi janë koalicionet sa më të gjera dhe të organizuara, siç është ai i PD dhe aleatëve.
“Që të ndryshosh Shqipërinë duhet të marrësh mazhorancën, për këtë duhet një koalicion sa më i organizuar dhe i gjerë. Nëse i kishim 26 subjektet më vete do merrnin një numër të caktuar votash por që nuk do përktheheshin në mandate.
Edhe subjektet e tjera që kanë dalë vetëm ose në koalicion, problemi më i madh i sistemit është se nëse ato vota nuk kthehen në mandate shkojnë në favor të Edi Ramës, se Rama në 2019 bëri ndryshimet e Kushtetutës me këtë qëllim që të mos lejonte koalicionet e përbëra, se atëherë do ishte ndryshe situata, do kishte konkurrime të përbashkët por secili subjekt do kishte mandatet e veta”, tha Mediu