Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një konferencë për mediat u shpreh se koalicioni “Aleanca për Shqipërinë madhështore” është premtimi më i madh për shqiptarët pas përmbysjes së diktaturës komuniste.
“Premtimi më real që është bërë ndonjë herë në Shqipëri. Unë e kuptoj që njerëz të lodhur e të rraskapitur nga skamja, mendojnë se Shqipëria madhështore është Shqipëria e largët.
Jam sot para jush për t’ju garantuar se ajo do të jetë më e afërt se kurrë. Do të jetë një realitet i mrekullueshëm për shqiptarët në Shqipëri e kudo në botë.
Shqipëria madhështore ka si kush të gjitha kushteve që asnjë shqiptar i vetëm të mos njohë më varfërinë. Paketa jonë për vendosjen e minimumit jetik 200 euro dhe indeksimin e tij të përvitshëm, vendosja e rrogës min 500 euro, mesatare 1200 euro, rritja e pensioneve me 20 %, ulja e çmimit të naftës me 30-40%, vendosja e kartës së konsumatorit për të rimbursuar shumën rreth 450 euro në vit për ushqimet dhe gjërat bazë, çmimi i energjisë prej 7 lekësh do të japin një çlirim të menjëhershëm të shqiptarëve nga dhimbjet e skamjes. Nëse do të flasim në terma apolitike, kjo është kolona e dhembshurisë njerëzore.
Shqipëria madhështore bazohet në kolonën e dhembshurisë njerëzore. Do të kemi një përmbysje të shpërndarjes të të ardhurave”, tha ai.