“Bashkëpunojmë me Poloninë”, Spiropali: Mbështetja e Shqipërisë ndaj Ukrainës në të njëjtën linjë me BE-në, NATO-n e SHBA-të

Shqipëria

“Bashkëpunojmë me Poloninë”, Spiropali: Mbështetja e Shqipërisë ndaj Ukrainës në të njëjtën linjë me BE-në, NATO-n e SHBA-të

Më: 5 mars 2025 Në ora: 14:55
Foto nga takimi

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në kuadrin e Presidencës Polake të Bashkimit Europian, filloi sot vizitën zyrtare në Poloni, gjatë së cilës shoqërohet nga znj. Mimi Kodheli, Kryetare e Komisionit të Jashtëm, z. Anduel Tahiraj, Kryetar i Grupit të Miqësisë, znj. Milva Ekonomi, anëtare e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, znj. Eralda Bano, anëtare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, dhe Ambasadorja Mimoza Halimi.

Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit Szymon Hołownia, Spiropali nënvizoi se anëtarësimi në BE brenda vitit 2030 dhe përfundimi i negociatave brenda vitit 2027 përbën një objektiv strategjik kombëtar të Shqipërisë.

Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme e të vazhdueshme të Polonisë për integrimin e Shqipërisë në familjen europiane, znj. Spiropali theksoi se Presidenca Polake përbën një momentum të favorshëm për shpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë. Gjatë kësaj Presidence ne synojmë të mbajmë dy Konferenca Ndërqeveritare, në mars dhe qershor, ndërkohë që gjatë vitit 2025 synojmë të mbyllim 2 kapituj dhe të hapim 23 kapituj të tjerë të negociatave, pjesë e grup-kapitujve 2,3,4 dhe 5.

Edhe gjatë Presidencës Polake Shqipëria do të ecë me shpejtësi e vendosmëri më të madhe se të gjitha vendet kandidate drejt familjes europiane.

Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe angazhimin e  Shqipërisë për avancimin e tyre në të gjitha nivelet dhe aspektet.

Ndërveprimi intensiv mes Kuvendit dhe Parlamentit të Polonisë, midis grupeve parlamentare, komisioneve, grupeve të miqësisë dhe deputetëve, do të vijojë të shërbejë si një katalizator i nxitjes së bashkëpunimit dypalësh.

Spiropali rikonfirmoi se mbështetja e palëkundur e Shqipërisë në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së Ukrainës është plotësisht në të njëjtën linjë me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të, dhe vlerësoi kontributin shumë të rëndësishëm të Polonisë në mbështetje të luftës mbrojtëse të Ukrainës.

Duke vlerësuar vendosjen e marrëdhënieve konsullore të Polonisë me Kosovën, Spiropali vuri në dukje se Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në rajon janë protagonistë të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Kryetarja Spiropali nënvizoi gjithashtu se Shqipëria po përgatitet dhe mirëpret bashkëpunimin me Poloninë edhe për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë, në vitin 2027.

Gjatë takimit me Kryetaren e Senatit, Małgorzata Kidawa-Błońska, Kryetarja Spiropali vlerësoi mbështetjen e fuqishme të Polonisë për mbështetjen e integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, me të cilët Bashkimi Europian ndan të njëjtat vlera. Ky proces duhet të jetë i mbështetur në meritën dhe arritjet e vendeve kandidate dhe të mos ndikohet nga problemet dypalëshe mes vendeve anëtare dhe kandidate. U diskutua gjithashtu mbi aspekte konkrete të bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Senatit, ndërveprimin mes komisioneve parlamentare, shtimin e investimeve polake në Shqipëri, bashkëpunimin në fushën e turizmit, arsimit, kulturës dhe nxitjen e miqësisë mes dy popujve.

Kryetarja Spiropali dhe delegacioni i Kuvendit zhvilluan një takim edhe me Grupin e Miqësisë me Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ku u diskutua mbi rolin e grupeve të miqësisë në intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar e dypalësh, nxitjen e investimeve polake në Shqipëri si edhe inkurajimin e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat