“Më iku gjiri”, nënën lehon e ndanë nga foshnja: Më futën në burg për një gjobë

Shqipëria

“Më iku gjiri”, nënën lehon e ndanë nga foshnja: Më futën në burg për një gjobë

Më: 5 mars 2025 Në ora: 21:18
Diana Baçja

Diana Baçja, një nënë e re në kufijtë e mbijetesës e ka të pamundur të harrojë ngjarjen e dy viteve më parë, kur ajo përfundoi pas hekurave.

Një histori që tronditi jo vetëm fshatin Drisht në Shkodër, por gjithë opinionin. Në mars të vitit 2023, vetëm 8 ditë pasi kishte sjellë në jetë një djalë, ajo u arrestua për një gjobë të papaguar. Fillimisht i thanë se do të paraqitej në rajon për disa sqarime, por më pas e nisën drejt paraburgimit tek Mine Peza. Një formë kurthi që ndodh shpesh teksa I thërrasin në komisariat me justifikimin e një sqarimi.

Skandali me arrestimin e saj, nxori në pah se i gjithë zinxhiri duke filluar që nga prokuroria, gjykata dhe përmbaruesi, ishin treguar të verbër, dhe askush nuk kishte dijeni për situatën e saj.

E reja ishte dënuar në mungesë me një gjobë prej 250 mijë lekësh, pasi pas ndarjes nga burri i parë, martesë nga e cila kishte një vajzë, nuk i ishte përgjigjur detyrimit që kishte për fëmijën. 3 vite pasi mori gjobën, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, vendosi t’ia konvertonte gjobën në 50 ditë burg.

Një histori ulëritëse nëse kemi parasysh se dhjetëra biznesmenë që bëjnë evazion fiskal, jo vetëm ia hedhin drejtësisë por fitojnë tendera miliona euro siç zbuluam më herët në një hulumtim për evazionin.

Diana sapo kishte sjellë në jetë një tjetër fëmijë dhe e reja përfundoi pas hekurave, edhe pse kodi i procedurës penale, saktëson se masa e arrestit me burg nuk mund të vendoset ndaj një gruaje shtatzënë apo me një fëmijë nën moshën tre vjeç.

Si pasojë i mituri në djep ngeli pa të ëmën. Nga tronditja e forte që solli ndarja e papritur me djalin e porsalindur, Dianës i iku gjiri. Fëmija u privua nga qumështi i nënës.

Në një bisedë emocionale me “Inside Story” ajo rrëfen se nuk ka mundur ta harrojë këtë ngjarje që e ka shënjuar jetën e saj të vështirë.

Avokati Anton Kosteri që e ka ndjekur këtë rast, thotë se burgosja e lehonës është në shkelje të të gjithë parimeve. Një qëndrim që në fakt ka marrë mbështetjen unanime të rrethit të juristëve.

‘Diana Bahcja u arrestua në një gjendje që nuk duhej ndaluar dhe ishte një gabim teknik i institucioneve tona. Ky rast ka prekur jashtëzakonisht atë familje që ishte në kushte të vështira ekonomike.

Edhe për veprën edhe dënimi i saj ishin jo në proporcion me rrezikshmërinë e saj, por edhe mbi të gjitha edhe për momentin. Në atë moment ajo nuk mund të ndalohej’ u shpreh Anton Kosteri, avokat.

Për ekspertët e të drejtave të njeriut raste të tilla janë në shkelje flagrante me të drejtat themelore dhe se drejtësia shqiptare ka ende shumë rrugë për të bërë.

“Absolutisht jo dhe është e pajustifikueshme. Mund të ndodhin këto gjëra në fillim. E ndiej veten keq duke përsëritur të njëjtën gjëra që kam thënë para 20 vitesh, para 10 vitesh, që njerëzit të merren ashtu si lecka të futen në paraburgim pa marrë parasysh se në ç’rrethana gjenden, çfarë dëmi i kanë bërë shoqërisë dhe si mund të rregullohet kjo gjë jo me burg, por me edukim”, u shpreh Elsa Ballauri, aktiviste.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat