Normat mesatare të interesit për kreditë konsumatore pësuan rënie të mëtejshme në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit për kreditë deri në 200 mijë lekë zbriti në 70.91%, nga 71.39% që kishte qenë në gjashtëmujorin e mëparshëm dhe 89.22% dhe 74.78% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë 2023.
Për paradhëniet bankare (overdraftet) deri në 200 mijë lekë norma efektive mesatare shënoi rënie në 13.9%, nga 14.04% që ishte në gjashtëmujorin e parë dhe 13.93% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023.
Ndërkohë, për kartat e kreditit deri në 200 mijë lekë, interesi mesatar u rrit në 20.47%, nga 19.7% që ishte në gjashtëmujorin e parë të vitit, por ishte në rënie të lehtë nga niveli prej 20.54% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023.
Edhe për kreditë me këste me vlerë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë, norma mesatare efektive e interesit ra në 27.42%, nga 28.07% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë të vitit.
Për kreditë me sshumë nga 600 mijë deri në 2 milionë lekë norma mesatare e interesit zbriti në 11%, nga 11.68% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë.
Normat e mësipërme të interesit janë llogaritur mbi të gjitha kreditë konsumatore të dhëna nga bankat dhe institucionet financiare jobanka, bazuara në të dhënat faktike që pasqyrohen në Regjistrin e Kredive të Bankës së Shqipërisë. Norma mesatare efektive e interesit nuk nënkupton vetëm normën nominale të interesit të kredië, por të gjitha kostot që i ngarkohen klientit për kredinë, duke përfshirë edhe komisionet apo tarifat e tjera.
Llogaritja e normës mesatare efektive të interesit shërben si bazë për të llogaritur më tej normën maksimale efektive të interesit për kreditë konsumatore (NEI maksimal)
Rënia e normës efektive mesatare të interesit përputhet në përgjithësi me një tendencë në rënie të interesave në tregun financiar gjatë vitit të kaluar. Kjo u përcaktua nga ulja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, por edhe nga gjendja e lartë e likuiditetit në treg. Gjithashtu, rënia e normave të interesit mund të shpjegohet edhe me një konkurrencë të lartë në tregun e kredisë konsumatore.
Edhe aplikimi i një norme maksimale efektive të interesit nga Banka e Shqipërisë duket se ka shërbyer si faktor që i ka zhvendosur në ulje interesat mesatare të kredive. Që prej fillimit të vitit 2022, kur nisi aplikimi i normës tavan të interesit, ky tregues ka lëvizur vazhdimisht në rënie për kreditë e vogla me këste deri në 200 mijë lekë.
Ndërkohë, duke filluar nga viti 2024, edhe formula e llogaritjes së NEI-t maksimal ka ndryshuar dhe për kreditë deri në shumën 200 mijë lekë do të llogaritet si mesatare e thjeshtë e kredive të dhëna, pa rritje me një të tretën, siç ndodh me kreditë mbi 200 mijë lekë./ Monitor