Transporti hekurudhor si dhe stacioni i trenit funksional mbeten një nostalgji e vjetër e qytetarëve vlonjat të cilët kërkojnë rikthimin në funksion të hekurudhës si të vetmen mundësi për të patur një transport më të lirë ndërqytetas. Transportin aktual me automjete taksi, furgona apo autobusë, qytetarët thonë se kushton shtrenjtë dhe është i papërballueshëm për ta. Ata që e mbajnë mend transportin hekurudhor, tregojnë se pas mosfunksionimit të tij edhe zona ka mbetur e shkretë, pa jetë.
“Na mungon shumë se është më lirë. Ne që jemi pensionista nuk ikim dot me furgon. Me furgon do 15 mijë lekë të vesh, unë as 100 mijë lekë s’marr pension, nuk e përballoj dot. Unë jam në Fier dhe është 3 mijë lekë për të shkuar me furgon, edhe pse është afër. Ja kalojmë këtu dhe themi: ‘Kur do bëhet?’ Pamë në televizor sikur do rregullohet, inshallah. Kam dëgjuar sikur do prishet, do bëhet andej. Treni është për fukarenjtë, zgjidhje shumë e mirë, por e kanë lënë zonën shkret. Ja sa kalojmë këtu…“
“Shumë fare se është i nevojshëm për shumë gjëra, je më e qetë dhe çmimi është më i lirë. Transporti me makina është i shtrenjtë shumë fare. Hekurudha është në një gjendje shumë të mjerueshme, është katastrofë. Këtu më përpara të vinte qejf të vije. Natën është fik, s’ka ndonjë dritë, vetëm andej, këtu jo.”
“Treni duhet për të gjithë, fukarenjtë që s’kanë makina kanë nevojë për trenin, është shumë i domosdoshëm. Madje duhej të kishte filluar më përpara. Na thanë që e kanë me tender dikush dhe s’dimë pse e kanë lënë kështu. Zona është prishur, copë-copë, i kanë djegur trarët, i kanë shkulur dhe nuk është i disponueshëm për punë në këto momente. Këtu ka pasur ndriçim, pllaka të shtruara, i kanë shkulur, i kanë prerë, kanë hequr shtyllat. Gjynah, një objekt i ri, i bërë në sistemin e kaluar, e ngeli kështu, i prishur, pa të zot. Kam shpresë te Perëndia se s’do jetë kështu gjithmonë, njerëzia ka nevojë për të.”
I vendosur në brendësi të lagjes “24 Maji” stacioni i trenit të ofron sot imazhin e një gërmadhe të vjetër të amortizuar nga vitet. Vlen të theksohet se në zonë edhe linjat hekurudhore kanë rënë pre e vjedhjes, ku shumë prej tyre janë prerë për tu shitur më pas për skrap.