Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, ka përshëndetur miratimin nga Senati italian të Marrëveshjes me Shqipërinë për Pensionet.
Në një mesazh, Kryeparlamentarja Elisa Spiropali e ka cilësuar këtë lajm, një tjetër dëshmi se bashkëpunimi e partneriteti me Italinë ka në qendër qytetarët.
Më poshtë mesazhi i plotë
“Një lajm i bukur nga Italia mike.
Senati Italian miratoi unanimisht Marrëveshjen me Shqipërinë për Pensionet, e cila hyn në fuqi menjëherë dhe prej nga do të përfitojnë mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë.
Falenderoj Presidentin e Senatit të Italisë, z. Ignazio La Russa, Presidentin e Dhomës së Deputetëve, z. Lorenzo Fontana, për kujdesin në ndjekjen e ratifikimit të Marrëveshjes mes dy qeverive për pensionet.
Një tjetër dëshmi se bashkëpunimi e partneriteti me Italinë ka në qendër qytetarët!”
Shqipëria dhe Italia arritën më 6 shkurt të vitit 2024 marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në Romë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani si dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.
Finalizimi i kësaj marrëveshjeje ofron për shumë persona një siguri dhe një perspektivë pozitive për të ardhmen, ndërsa palët kishin rreth 15 vite që negocionin për të arritur këtë firmë, që garanton të drejtat e punonjësve shqiptarë në Itali apo të punonjësve italianë në Shqipëri për pensionet.
Janë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 4 mijë shtetas italianë, nga zbatimi i së cilës do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.
Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë.