Edhe pse sot nuk kishte parlament, minatorët u mblodhën para tij, me të njëjtat thirrje. Kërkesat e minatorëve dihen tashmë prej kohësh: statusi i minatorit dhe rritja e pensioneve.
Por kërkesat e tyre kanë shkuar në vesh të shurdhër, pasi askush nuk ka kërkuar t’i takojë këta minatorë, ndonëse protestat e tyre vijojnë prej disa kohësh.
“Kemi 32 vjet që protestojmë, jo sot. Kalojnë këta zullumqarët e parlamentit dhe askush nuk e kthen kokën. Tani që janë në prag fushate, na premtojnë, por na gënjejnë. Ne do vazhdojmë me protesta. Të na shohin kush jemi, ne jemi varrosur për së gjalli, sepse në miniera kemi luftuar me vdekjen kur ishim të rinj, jo me tani, ç’e duam më jetën”, thotë Qani Shino, ish-minator.
Ata kujtojnë vuajtjet në minierë, momentet kur kanë menduar se jeta e tyre iu erdhi fundit.
Të paktën në numër, jo nga dëshira, por nga pamundësia, ata thonë se do të vijojnë të kërkojnë takim me kryeministrin, që zëri i tyre të dëgjohet. Në të kundërt, do të gjejnë zgjidhje të tjera.
“Vetëm vitin e fundit nuk kemi ndaluar të protestojmë, por askush nuk ka vënë ujë në zjarr. Një mendje na thotë të futemi në grevë urie, por prapë është e parafundit kjo”, shprehet Baftaj Dema, ish-minator.
Shumica e minatorëve janë të sëmurë, disa të dëmtuar nga gjymtyrët nga aksidentet në punë. Të tjerët nuk lëvizin dot nga krevati, ndaj këta minatorë janë dalë në protestë dhe në emër të miqve të tyre.