Njohja e pensioneve në Itali! Rama: Kjo punë mori fund me ndihmën e Melonit

Shqipëria

Njohja e pensioneve në Itali! Rama: Kjo punë mori fund me ndihmën e Melonit

Më: 6 mars 2025 Në ora: 19:53
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit nga Senati italian të marrëveshjes për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore midis Shqipërisë dhe Italisë. Ai theksoi se kjo marrëveshje do të sigurojë të drejtat për pensionet e shqiptarëve që jetojnë në Itali dhe italianëve që jetojnë në Shqipëri, duke vlerësuar veçanërisht mbështetjen e Kryeministres italiane, Giorgia Meloni.

Rama falenderoi Melonin për përpjekjet dhe angazhimin e saj, duke shtuar se pa të, realizimi i kësaj marrëveshjeje do të kishte qenë i pamundur. Ai e quajti këtë një sukses të rëndësishëm për më shumë se gjysmë milion qytetarë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Itali, duke shtuar se kjo ishte një nga dy marrëveshjet më të vështira për pensionet.

Për më tepër, Rama foli për marrëveshjen e pritshme me Greqinë, duke u angazhuar për mbylljen e të gjitha çështjeve të hapura me një vizion të qartë dhe një ndjenjë respekti për Kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

Ai theksoi se mandati i katërt i qeverisë do të jetë vendimtar për realizimin e pensioneve të ligjëruara për shqiptarët në Greqi dhe për heqjen e ligjit të luftës. Rama e përmbylli fjalën e tij duke shprehur besimin se Shqipëria dhe Greqia do të jenë së bashku në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

“Vendosmëria ime është të mbyllim të gjitha çështjet e hapura me po atë vizion, më po atë vullnet dhe më po atë ndjenjë respekti që me kryeministrin Mitsotakis kemi ndarë qysh se jemi takuar për herë të parë. Kam besim se mandati ynë i katërt do të jetë edhe mandati i pensioneve të ligjëruara të shqiptarëve të Greqisë. Ashtu sikurse do të jetë edhe mandati i heqjes së ligjit të luftës dhe i vënies mbi “i” i të gjitha pikave të dakordësuara mes nesh. Shqipëria 2030 dhe Greqia do të jenë bashkë në BE”, u shpreh Rama.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat