Gruaja vritet nga kunati në Kamëz/ Si e injoroi prokurori kallëzimin, pushoi hetimin: “Kanosja s’ishte serioze”

Shqipëria

Gruaja vritet nga kunati në Kamëz/ Si e injoroi prokurori kallëzimin, pushoi hetimin: “Kanosja s’ishte serioze”

Më: 6 mars 2025 Në ora: 20:25
Foto ilustrim

Emisioni investigativ Vetting në News24

Avokati i Popullit: Vrasjet bien mbi Prokurorinë dhe Policinë

Mbrëmjen e 18 shtatorit 2019, një grua e re do të paraqitej në Komisariatin e Kamzës për të kërkuar mbrojtje nga një person që së shpejti do të ishte xhelati i saj. Gruaja me inicialet E.Ç. do të kallëzonte penalisht kunatin e saj pasi disa ditë më parë, në 11 shtator 2019 ky person e kishte fotografuar atë në një bar kafe, ku ajo ishte e shoqëruar me vajzën e saj dhe një të afërmi, i cili edhe e kishte përndjekur. Këto foto, kunati i saj ia kishte nisur bashkëshortit të viktimës, i cili vuante dënimin në burgun e Fierit.

Asokohe gruaja do të dëshmonte se dy ditë më pas në 13 shtator 2019, ajo kishte shkuar për vizitë tek bashkëshorti në burgun e Fierit. Në burg ka patur një debat me këtë të fundit pasi burri i kishte treguar fotografitë që i kishte nisur vëllai i vet.

Sipas deputetes Pampuri, “në qoftë se duam të parandalojmë dhunën ndaj gruas, duhet të forcojmë sistemin e referimit, duhet të kemi zyra të posaçme në njësitë administrative me persona profesionistë dhe të trajnuar përsa i përket dhunës ndaj gruas”.

Sipas mjekut Shkëlqim Ahmetaj: “Nëse dhuna është për shkak të formimit, pra është sistematike për shkak të formimit, ajo është rrugë pa kthim, për shkak të një xhelozie patologjike është rrugë pa kthim”.

Disa orë përpara se gruaja të shfaqej në Komisiariatin e Kamzës për kallëzim, rreth orës 06:30 duke dalë nga banesa e saj, i ka dalë përpara kunati, i cili e ka kërcënuar të ndjerën duke i thënë:

“Do të fus plumbin në kokë!” dhe më pas është larguar me biçikletë.

Sociologu Elvis Mërtiri shprehet: “Shoqëria Shqiptare, mendoj unë, nuk ka gjetur vetveten për të pasur një tranzicion të butë drejt modernitetit, dhe ky tranzicion agresiv dhe jonormal prodhon situata nga më të ndryshmet”.

E trembur për jetën e vajzës dhe të veten, viktima së bashku me vajzën do të shkonte në Komisariatin nr.5, duke bërë kallëzim dhe duke kërkuar që ky problem të ndiqej nga institucionet përgjegjëse.

Sipas dokumenteve të siguruara nga “Vetting”, oficerja e Policisë Gjyqësore Violeta Progni ka mbajtur procesverbalin “Për kallëzimin e veprës penale” nga e ndjera, ku ajo ka kallëzuar kunatin për përndjekje, bërje fotografish dhe kanosje, duke mbajtur dhe dokumente për këtë rast.

Në datën 19 shtator 2019 është mbajtur procesverbali për kunatin e saj, që e përndiqte dhe nga deklarimet rezulton se vrasësi nuk e ka pranuar që të ketë përndjekur dhe kërcënuar kunatën.

Një ditë më pas, në 20 shtator 2019 Oficeri i Policisë Gjyqësore Rrezart Bala ia ka referuar çështjen Prokurorisë për veprën penale “Kanosje”.

“I përket institucioneve shtetërore të sigurojnë qoftë edhe banesa sociale me bonus qiraje, të cilat të jenë larg, goxha larg në distancë nga njëri-tjetri”, shprehet për “ Vetting” mjeku Shkëlqim Ahmetaj.

Por çfarë bëri Prokuroria?

Më 2 tetor 2019, prokurori i çështjes do të merrte një vendim, që ndoshta mund të kishte parandaluar ngjarjen tragjike. Sipas prokurorit, ky hetim duhej pushuar pasi që të ndodhemi përpara veprës penale të kanosjes, duhet që kanosja të jetë serioze, e çastit, që do realizohet në atë moment si dhe të shoqërohet me veprime konkrete, kurse vetëm përdorimi i kërcënimeve me fjalë, nuk le ndonjë dyshim se kanosja do realizohet.

Disa muaj më pas, në 10 janar 2020 rreth mesnatës do të ndodhte tragjedia, ku kunati i viktimës do të shqyente derën e dhomës së gjumit dhe në prani të fëmijës dhe nënës së vet, do të godiste gruan me sende të forta duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Gruaja, që ka provuar dhunën dhe aktualisht është e divorcuar, për “Vetting” tregon: “Unë gjithmonë kam luftuar të kem familje, dhe së dyti pavarësisht veseve apo natyrës së vështirë të një personi tjetër kam dashur që natyra ime të mbjellë kulturë, të tregojë dhembshuri pastaj të drejtën, çfarë kam unë si njëri”.

Nga informacionet e siguruara nga “Vetting” konstatohet paaftësi e Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe njësive të Bashkisë Kamëz që monitorojnë këto situata.

Në lidhje me vendimin e Prokurorisë për të pushuar çështjen, Avokati i Popullit deklaroi se “Për ironi të arsyetimit të prokurorit të çështjes ndonëse sipas të cilit kanosja nuk paska qenë serioze, e çastit, nuk është shoqëruar me veprime konkrete dhe se nuk ka lënë dyshime se kanosja do të realizohej, në fakt rezultoi se, vrasja e të ndjerës ndodhi dhe jeta e saj u mor padrejtësisht dhe në mënyrë mizore nga kanosësi i saj.

Nga dokumentet e siguruara nga “Vetting”, prokurori i çështjes nuk ka kryer asnjë verifikim për deklaratat e viktimës, si duke marrë në pyetje të bijën, burrin apo persona të tjerë që kishin dijeni për rastin. Avokati i Popullit shkon më tej duke deklaruar se Prokurori i cështjes është në shkelje të ligjit dhe nuk është treguar profesionist me rastin konkret.

Madje në strukturën e Policisë së Shtetit ka mangësi si mungesa e eksperiencës dhe trajnimeve për dhunën në familje.

Sipas deputetes Orjola Pampuri: “Nëqoftëse duam të parandalojmë dhunën ndaj gruas, duhet të forcojmë sistemin e referimit, duhet të kemi zyra të posaçme në njësitë administrative me persona profesionistë dhe të trajnuar përsa i përket dhunës ndaj gruas.”

Komisariati i Kamzës nuk do të realizonte detyrat sipas ligjeve në fuqi pasi autori i ngjarjes ishte kunati, i cili është person i afërm duke sjellë ekzekutimin e ligjit nr. 9669, datë  18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar.

Avokatja Rezarta Agolli shprehet se “Ligji është i shkruar shumë bukur dhe në bazë të konventave. Problemi kryesor nuk është implementimi por zbatimi”.

Sipas avokates Rezarta Visha, që merret me mbrojtjen e grave nga dhuna, një grua që pëson nje formë dhune ose merr në telefon policinë ose shkon në Komisariatin e policisë, atje shpenzon disa orë për të plotësuar një urdhër mbrojtjeje. “Më pas nga komisariati urdhëri i mbrojtjes vjen në Gjykatë. Gjykata brenda 48 orëve cakton seancën dhe e lëshon urdhërin e mbrojtjes ose e rrëzon sipas vendimit të gjykatës”, tregon avokatja Rezarta Agolli.

Por në rastin e Kamzës nuk ka patur urdhër mbrojtje, duke vendosur në pikëpyetje punën e punonjësve në Policinë e Shtetit që janë marrë me viktimën.

Ajo që e bën shumë të rëndë situatën është fakti se viktimës nuk i është bërë e ditur e drejta për t’u pajisur me urdhër mbrojtjeje, “urdhri për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme” që jepet nga Policia e Shtetit, që përmban masat e menjëhershme për ndalimin e dhunës, deri në marrjen e vendimit nga gjykata.

Për rrjedhojë nuk është lëshuar “urdhri për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme”, nuk është hartuar kërkesa për lëshimin e “urdhër i menjëhershëm mbrojtje”, apo dhe “urdhër mbrojtjeje” për viktimën, e cila zbulon se gruaja është braktisur dhe injoruar nga Policia dhe Prokuroria.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat