Berisha: ‘Made in Albania’ do jetë krenaria kombëtare, ne do t’i rikthehemi Shqipërisë prodhuese

Shqipëria

Berisha: ‘Made in Albania’ do jetë krenaria kombëtare, ne do t’i rikthehemi Shqipërisë prodhuese

Më: 6 mars 2025 Në ora: 20:36
Sali Berisha

Në një fjalim të tij në degën e Partisë Demokratike në Durrës, lideri i PD-së, Sali Berisha, ka paraqitur një plan ambicioz për t’i kthyer Shqipërisë statusin e një vendi prodhues dhe për të zhvilluar një ekonomi që fokusohet në forcimin e prodhimit të brendshëm. Ai ka theksuar se Shqipëria ka potencial të madh për të shfrytëzuar burimet e saj natyrore, duke përmendur sektorët bujqësorë, minerarë dhe energjetikë si pasuri të papërdorura ende plotësisht.

Berisha ka kritikuar qeverinë aktuale për rënien e prodhimit, duke theksuar se eksportet e prodhimit ranë me 32% nga viti 2023 në vitin 2024. Ai ka bërë thirrje për një rikthim të fuqishëm të Shqipërisë si një vend prodhues, me një fokus të veçantë në krijimin e një mjedisi miqësor për investitorët dhe zhvillimin e bizneseve. Sipas tij, investitorët e huaj janë larguar nga Shqipëria për shkak të klimës jo të favorshme të biznesit, ndërsa PD-ja do të krijojë kushte më të mira për ta.

Në fjalimin e tij, Berisha ka nënvizuar rëndësinë e infrastrukturës për zhvillimin e ekonomisë dhe ka përmendur ndërtimin e rrugëve dhe projekteve të tjera të mëdha, të realizuara gjatë periudhës së qeverisjes së PD-së, me çmime shumë më të ulëta se ato të aktualeve. Ai ka kritikuar rritjen e çmimeve të lëndëve të ndërtimit dhe ka akuzuar qeverinë për vjedhje dhe keqmenaxhim.

Berisha ka paraqitur “Made in Albania” si një slogan që do të jetë “krenaria kombëtare”, duke synuar ta bëjë Shqipërinë një vend që prodhon për veten dhe për botën, duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e standardeve të jetesës për qytetarët shqiptarë.

Pjesë nga fjala e kreut demokrat Sali Berisha në dëgen e PD-së në Durrës:

Pastaj shtyllë kryesore ‘Made in Albania’. Nuk ka vend që të ketë fuqi prodhuese për kilometër katror siç ka Shqipëria në çdo lloj aspekti. Si bujqësor, minerar, nëntokësor, etj.

Çfarë ndodh miqtë e mi. Në mënyrë dramatike bie prodhimi vit për vit. Statistika zyrtare. E dëgjoni të flasë ndonjëherë ky, zogu i qyqes çdo mëngjes ta përdorë fjalën prodhim? Asnjëherë të vetme, nuk ekziston.

Vetëm nga viti 2023-2024 eksportet që janë mirëfilltas prodhim, ranë me 32%. Atëherë, ne i rikthehemi me të gjithë fuqinë prodhuese potencialit tonë.

‘Made in Albania’ është Shqipëria e punësimit, është Shqipëria e begatimit, është Shqipëria e shndërrimit të të mirave që ka vendi, në të mira për qytetarët. Është Shqipëria që tërheq investitorët e huaj.

Ka 10 vite që një investitor serioz i madh në Shqipëri nuk shkel. Ikën ata që ishin, e braktisën Shqipërinë. Si do të bëhet, si do bëhet Shqipëria pa investime të huaja, pa kompanitë e mëdha. Jo.

Ne do të krijojmë mjedisin më miqësor.

A e dini ju se pse ndërtuam ne rrugë. Ne ndërtuam nga viti 2005-2013, 11 mijë e 3-400 kilometra rrugë. Por ama nga Hani  i Hotit gjer në Gjirokastër, që të gjitha me kompanitë më të mëdha, Italia, Gjermane, Amerikane e me radhë. Me çmime absolutisht në disa raste 10 herë më të ulëta se të sotmet.

Qytetarët duhet ta dinë se çmimet e lëndëve të ndërtimit, manualet e ndërtimit tregojnë se çmimet për punët publike janë rritur gjithsej 32 përqind. Çfarë ka ndodhur që këta i ndërtojnë rrugët me 10-fish? Vjedhin, kaq e thjeshtë. Vjedhin në çdo gjë.

Shkon në Turqi ai. Del tjetri ofron 130 mln euro për tunelin e Llogarasë. Jo, pas kuintave, perdeve e çojnë në 180 mln euro dhe ndajnë 50 mln aty për aty.

Ne do ti rikthehemi Shqipërisë prodhuese, do të krijojmë një mjedis të shkëlqyer, për biznesin. Mos harroni se ka pasur raste në vitet 2005-2013 që Shqipëria renditej e 13-18 në botë për klimën e biznesit. Edhe ajo bëhet, por bëhet kur të mos i shikosh për ti vjedhur ata, por ti trajtosh barabar para ligjit dhe të pranosh, praninë e tyre.

Kështu që do të nxisim prodhimin me të gjitha mundësitë.

Nuk ka vend më të pasur. Ka çdo lloj minerali po thuajse. Ka ujëra më shumë se çdo vend i Ballkanit. Ka fushën më të madhe të naftës onshore në Europë, ka brigjet më fantastike.

Pra ‘Made in Albania’ do të jetë krenaria kombëtare.

Do ta lëmë pak historinë në punë e vet dhe do të merremi me veten tonë.

Do bëjmë historinë me ‘Made in Albania’ në mënyrë që shqiptarët të jetojnë të mëkëmbur, pa dhimbje me prodhimet e tyre dhe të ecin dhe në botë me këto marka.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat