Rikonstruksioni i Qendrës së Artit “Vaçe Zela” në Lushnjë do t’i shërbejë gjallërimit të jetës kulturore të qytetit, ndërsa pritet të përfundojë në fund të qershorit.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, e shoqëruar nga kryetarja e bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa inspektoi sot nga afër punimet.
Qendra e Artit në lagjen “Kongresi i Lushnjës” pritet të jetë në funksion edhe për sezonin turistik dhe ka një sërë funksionesh, për kinema, teatër, si dhe të tjera aktivitete socio-kulturore.
Sipas kryetares së bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, salla do të ketë 450 vende, ndërsa Teatri i Kukullave ka 150 ulëse.
“Është e vetmja skenë lëvizëse mbas Teatrit të Operës në Shqipëri dhe do të ruhet e tillë”, tha Sefa.
Ndërhyrja është komplekse, pasi dhe vetë objekti është i tillë. Rikonstruksioni financohet nga qeveria shqiptare dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Sipas projektit, një pjesë të elementeve do të ruhen dhe do të restaurohen. Por, nuk bëhet fjalë vetëm për rikonstruksionin nga pikëpamja e punimeve civile, por është edhe e gjithë pjesa e mobilimit.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministrja Balluku theksoi se “problemi më i madh është se ne harrojmë se si kemi kaluar nga një stad dhe një tjetër, dhe kjo është e vlefshme për qendrat e qyteteve, kjo është e vlefshme për autostradat, rrugët dhe për gjithçka”.
“Si ishte dhe si është, është diçka që shërben jo për të treguar se çfarë pune kemi bërë, por shërben që njerëzit të kuptojnë se si kanë ndryshuar objektet shtetërore, si kanë ndryshuar rrugët, qendrat e qyteteve bashkë me rilindjen urbane sesi janë ruajtur elementë të rëndësishëm. Të gjitha këto nëse bëhen përmes një videoje apo përmes një këndi i cili shërben si një muze është një kujtesë për të gjithë procesin”, shtoi ministrja Balluku.