Ëndrra fëminore për të ndjekur gjurmët e nënës në profesion, ishte shtysa kryesore e doktoreshës Olvis Petre që të bëhej pjesë e bluzave të bardha.
Tashmë prej 27 vitesh si mjekja pneumologe Olvis ia ka dalë ta realizojë dëshirën e saj, e teksa rikthehet në ato ditët e parë kur i hyri këtij rrugëtimi na tregon se porosinë e parë nuk ia dha nëna, por babai.
“Janë disa arsye, e para sepse profesioni i mjekësisë është edhe i mamasë sime. Një tjetër faktor është se në vitet 90 u shpall për herë të parë që studentët e mjekësisë do të konkurronin me konkurs dhe mora vendim të mësoj fort që mos t’ia leja në dorë fatit, por të paktën të merrja një degë të preferuar. Nuk e pyeta fare mamin për degën, e fola më babin. Më tha shiko mjeku është gjithmonë në punë, në luftë apo në festë”, tha ajo.
Sakrificat që prej kohës së studimit i kujton edhe tani, ndërsa nga hapat për të arritur qëllimet, sidomos disiplinën e radhit të parën.
“Sasia e kohës që duhet të rrish mbi libra është shumë e madhe, këtë më ka thënë edhe mamaja ime që e kam humbur para një viti. Më ka thënë mendoje mirë para se të shkosh në mjekësi, sepse duhet të bëhen bërrylat kallo, po ende se kisha kuptuar këtë, sidomos kur do që të dalësh me rezultate të larta”.
Ashtu si për çdo grua në karrierë, edhe profesioni i mjekes ka sfida edhe më të mëdha se sa burrat, sidomos kur bëhesh nënë.
“Është shumë e vështirë sidomos kur vijnë fëmijët në jetë që mund të sëmuret, dhe e kam përballuar që djalin me temperaturë 39, unë kam ardhur në punë, në spital. Në një moment mund të ndërroj kolegu, por jo gjithmonë mund ta bëjë. Kështu që për fëmijën tënd duhet t2ë kujdeset një tjetër, dhe ti të jesh në punë, nuk planifikon dot pushime afatgjata, apo planet për festat”.
Ky 8 Mars nuk do ta gjejë Olvisin në punë në shërbim të pacientëve se është e shtunë, megjithatë ky është rast i rrallë pasi siç na thotë ajo misioni i mjekut nuk njeh festa apo gëzime familjare dhe pikërisht për këtë i është shumë mirënjohëse familjes.
“Për festat e 8 marsit është ditë e zakonshme për ne. Këtë radhë i ka rënë ditë e shtunë, dhe në kohë të lirë organizohemi edhe ne. festat nuk është vetëm për mjekun, por edhe për të tjerët. Gjithë familja përshtatet, ndikon edhe sakrifica që bën bashkëshorti apo djali në lidhje me punën time, pa sakrificën e tyre nuk punon dot me orë të zgjatur”.
Për të gjitha gratë dhe vajza doktoresha Olvisi e ka një mesazh të drejtpërdrejt.
“Mesazhi im për vajzat e gratë është që duhet të jenë të pavarura, të studiojnë edhe të punësojnë. Të thonë fjalën e tyre të lirë, mos të varen. Të luftojnë për të drejtat e tyre”.