Tërhiqet gjyqtari, Gjykata e Lartë shtyn vendimin mbi rekursin e Veliajt dhe Xoxës

Shqipëria

Tërhiqet gjyqtari, Gjykata e Lartë shtyn vendimin mbi rekursin e Veliajt dhe Xoxës

Më: 8 mars 2025 Në ora: 15:39
Ajola Xoxa

Gjykata e Lartë ka vendosur të shtyjë shqyrtimin e rekursit të paraqitur nga Arbër Veliaj dhe Ajola Xoxa, të cilët kundërshtojnë kontrollet e kryera në banesat dhe bizneset e tyre më 6 dhjetor të vitit të kaluar. Kontrollet u ushtruan me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas kërkesës së SPAK.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, një nga tre gjyqtarët e caktuar për shqyrtimin e çështjes ka kërkuar të tërhiqet për shkaqe papajtueshmërie. Trupa gjykuese përbëhej nga Ilir Panda si relator dhe Albana Boksi e Medi Boci si anëtarë. Seanca ishte planifikuar të zhvillohej më 6 mars, por u shty për një datë të mëvonshme.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, do të paraqitet më 11 mars para Gjykatës së Posaçme të Apelit, ku do të kërkojë një masë më të butë sigurie nga ajo e arrestit me burg.

Çështja e tij do të shqyrtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi, ndërsa vendimi në shkallën e parë u dha nga gjyqtari Erjon Bani. Veliaj është arrestuar si pjesë e një hetimi të SPAK mbi akuzat për korrupsion dhe abuzim me detyrën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat