Në Shkodër, shoqata e gruas "Hapa të lehtë" organozoi në ditën e 8 Marsit, takimin "T'pa thanat- histori njerëzore", kushtuar grave dhe vajzave që me kurajo përballen me sfidat e vështira të jetës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, sjell historinë e 23-vjeçares nga Vau i Dejës, Xhesika Frroku, e cila u paralizua rreth 7 vite më parë dhe që në karrike me rrota lufton me optimizëm për jetën.
Mes grave dhe vajzave, të pranishme në takimin “T’pa thanat- histori njerëzore” organizuar nga shoqata e grave “Hapa të lehtë”, ishte edhe 23-veçarja Xhesika Frroku nga Vau i Dejës.
Xhesika thotë se historia e jetës së saj është e dhimbshme, plot vuajtje, por edhe me optimizëm për të përballuar sëmundjen dhe vështirësitë e jetës së përditshme.
“ Kam 7 vite që jam e paralizuar nga një problem në shtyllën kurrizore. Por kjo nuk më ka ndaluar të vazhdoj jetën, të eci përpara megjithë kufizimin që kam, pasi jam në një karrige me rrota”, tregon ajo.
Të qenurit në karrige me rrota, thotë Xhesika, është një sfidë e vështirë jo vetëm me veten, por edhe me shoqërinë, e cila dalëngadalë po ndërgjegjësohet për të mbështetur personat me aftësi të kufizuara.
“ Ndjehem mirë në zonën ku banoj, sepse njerëzit kanë filluar të ndërgjegjësohen. Mund të jem ndjerë ndonjëherë e prekur nga ndonjë paragjykim që mund të kenë pasur, nga ndonjë hutesë e njerëzve që më shikojnë në një karrige me rrota, por jam mirë me veten. Pavarësisht se disa njerëzve u mungojnë këmbët, nuk ju mungon zemra”
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Xhesika përmbushi ëndrrën e saj duke përfunduar studimet universitare në degën e punës sociale dhe tani po përgatitet të hyjë në tregun e punës, në përshtatje me aftësitë e saja.
Por Xhesika thotë se vitet e shkollimit në universitet ishin nga më të vështirat për shkak të mungesës së infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuar.
“Universitetin e kam përfunduar për punë sociale. Një dëshirë e imja, pavarësisht pengesave dhe paragjykimeve që kam pasur nga institucioni. Nuk kam pasur ndonjë mbështetje. Mungonin shumë gjëra në auditore. Shpesh nuk kam mundur të marr pjesë në leksione pasi nuk ishin ambientet e duhura për levizshmërinë time në një karrocë me rrota”, tregon ajo.
Dita e Xhesikes nis me fizioterapi për përmirësimin e fizikut të saj dhe vazhdon tek organizata humanitare “ Karitas Sapa”, ku ajo ka gjetur mbështetje dhe ku është përfshirë në aktivitete në mbështetje të grave dhe vajzave si dhe të personave me aftësi ndryshe.