8 marsi nuk është vetëm festë.
Por një ditë që gratë kërkojnë më shumë të drejta, sfidojnë veten dhe duan të përçojnë mesazhin e barazisë gjinore.
Në titullin “Gruaja e hekurt”, vajza e gra të profesioneve të ndryshme u bënë bashkë në një event me disa punëtori duke nisur nga dekorimi me qirinj, poçeri, piktura me gozhdë, deri te saldimi.
“Unë po e provoj për herë të parë, si një sfidë sepse asnjëherë nuk kam qenë për të festuar 8 marsin, por për të sensibilizuar se gratë mund të bëjnë ndryshimin. Mund të bëjnë gjithçka kur duan”.
Përmes këtij aktiviteti në 8 mars, duan të tregojnë që profesionet nuk kanë gjini!” Elona Kerri është një ekonomiste që ka krijuar lidhje me saldimin edhe prej fëmijërisë.
“Unë që e vogël saldoja me babin. Madje ai në vend të vëllait më merrte mua, nuk ka thënë asnjëherë që kjo nuk është punë për vajza. Duhet ti heqim këto paragjykime për punët e meshkujve si mekanika, saldimi se janë shumë të bukura. Si dhe anasjelltas për punët e vajzave që të rregullojë shtëpinë, të fshijë, të lajë”, tha Elona Kerri.
Në ditën e grave, Bianka në mënyrë vullnetare organizoi sesione pune të ndryshme të paprovuara më parë nga pjesëmarrëset duke vlerësuar se të drejtat e fituara nuk janë mjaftueshëm, por eksplorimi duhet të vazhdojë për ëndërrimtaret dhe guximtaret.