Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër modelin ekonomik të qeverisë, duke theksuar se Shqipëria ka sistemin fiskal më të rëndë në rajon, me taksa më të larta se fqinjët dhe një ekonomi që favorizon pakicën në dëm të shumicës.
“Sot, 95% e qytetarëve paguajnë taksa, por marrin më pak shërbime. Ndërkohë, një pakicë e privilegjuar përfiton përjashtime fiskale, koncesione dhe kontrata publike. Ky është një sistem që duhet të ndryshojë,” deklaroi Tabaku në rubrikën e saj javore.
Ajo vuri në dukje se Shqipëria ka normën më të lartë të TVSH-së në rajon (20%), ndërkohë që vendet fqinje si Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi aplikojnë norma më të ulëta dhe përjashtime për shumicën e qytetarëve, jo për një pakicë të lidhur me qeverinë.
Tabaku theksoi se ekonomia shqiptare është në rënie të vazhdueshme, me një pagë minimale prej vetëm 2.27 euro për orë dhe një tkurrje të sektorëve kryesorë si industria dhe bujqësia.
“Sektori industrial u tkurr me 30% vitin e shkuar, ndërsa eksportet bujqësore ranë me 28-29%. Kjo është një ekonomi që po vdes. Biznesi nuk investon dot, pagat nuk rriten sepse qeveria e ka shkatërruar konkurrencën me taksa të larta dhe përjashtime klienteliste,” u shpreh Tabaku.
Sipas Tabakut, Partia Demokratike ka një plan të qartë për të rikthyer drejtësinë ekonomike dhe për të vendosur qytetarët dhe shumicën në qendër të zhvillimit.
Ky plan përfshin:
• Taksa të ulëta dhe të drejta: PD propozon një sistem të ri fiskal me një taksë të sheshtë 10% për të nxitur investimet, rritjen e pagave dhe formalizimin e ekonomisë. Kjo do të krijojë më shumë vende pune dhe do të lehtësojë barrën mbi bizneset dhe qytetarët.
TVSH më të ulët për produktet bazë: Për të ndihmuar konsumatorët dhe për të nxitur blerjet, produktet e shportës, energjia dhe shërbimet bazë do të kenë një normë më të ulët të TVSH-së, ashtu siç ndodh në vendet e rajonit.
Mbështetje për sektorët prodhues: Bujqësia dhe industria, të cilat sot po pësojnë rënie të madhe, do të mbështeten me politika fiskale të favorshme, ulje taksash dhe eliminim të burokracive që pengojnë zhvillimin e tyre.
Luftë kundër ekonomisë informale: Sot, një pjesë e madhe e ekonomisë shqiptare është e zezë për shkak të nivelit të lartë të taksave dhe përjashtimeve selektive. PD do të thjeshtojë sistemin fiskal dhe do të eliminojë përjashtimet klienteliste, duke krijuar një treg më të ndershëm dhe më konkurrues.
Frenimi i oligarkisë dhe monopolizimit të ekonomisë: Koncesionet dhe përjashtimet fiskale për një grup të vogël biznesesh pranë qeverisë do të eliminohen, duke rikthyer barazinë dhe duke hapur tregun për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Tabaku e përmbylli mesazhin e saj me një thirrje të qartë për ndryshim:
“Kjo qeveri ka ndërtuar një ekonomi që prodhon vetëm për pakicën dhe shkatërron shumicën. Ne do ta ndryshojmë këtë realitet me politika të drejta dhe të qarta që vendosin në qendër qytetarin dhe shumicën e ndershme të shqiptarëve. Vetëm përmes një sistemi të drejtë ekonomik, me taksa të ulëta dhe një klimë të favorshme për biznesin, mund të sjellim zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë.”