Gjykata e Tiranës kërkon të dokumentohet e vërteta në lidhje me të arrestuarin e vetëm për masakrën e “Don Boskos”, Nikollë Shërniku.
Dosja është kthyer për plotësim në Prokurorinë e Tiranës, pikërisht te prokurori i çështjes, ku mësohet se është lënë detyrë të vërtetohet një dëshmi e dhënë nga Shërniku në lidhje me vendndodhjen në kohën e ngjarjes së rëndë, ku disa persona qëlluan me kallashnikovë në drejtim të lokalit të Fatjon Muratajt dhe plumbat i morën jetën banakieres së lokalit.
Autorësia e asaj ngjarjeje sot e asaj dite nuk është faktuar nga ana e policisë e as e prokurorisë, edhe pse pati një të vrarë dhe disa të plagosur, ndërkohë që Shërniku u vu në pranga, për shkak të dy targave që u tha se ishin në makinën e atentatorëve. Këto targa u bë me dije se Shërniku i kishte sjellë nga Gjermania, por ky i fundit ka mohuar akuzat, po ashtu edhe pjesëmarrjen në krim për shkak se ai ka pretenduar se ka qenë në burg në të dy kohët për të cilat ai është akuzuar si i përfshirë në atë ngjarje. Atentati në lokalin e familjes së Fatjon Muratajt ndodhi fiks 2 vjet më parë, ndërsa persona ende të paidentifikuar sulmuan me armë një tavolinë burrash, të cilët po shihnin një ndeshje futbolli. Për fatin e keq të saj, Mimoza Paja, që po merrte një kafe bashkë me mbesën e saj, pasi ishte pushim në atë pjesë të ditës, ndërroi jetë nga plumbat e armëve që u lëshuan mbi tavolinën e ku gjendeshin disa persona, të afërm dhe miq të Fatjon Muratajt.
Të plagosur, ndonëse jo me plagë të rënda mbetën edhe persona që nuk gjendeshin në tavolinë me shënjestrat e atentatit, ndërkohë që në banak, në momentin e sulmit gjendej vëllai i Fatjonit. Policia dhe prokuroria u fokusuan te rivalët e tyre dhe në bazë dyshimesh, shënjestruan “ushtarët” e Ervis Martinajt, një prej të cilëve u dyshua se është edhe Nikollë Shërniku, i cili u vu nën akuzë dhe hetim për “sigurim kushtesh për të kryer vrasje”.
KTHIMI I DOSJES
Prej 2 vjetësh, që nga koha e ndodhjes së krimit, konkretisht me 12 mars të vitit 2023, Nikollë Shërniku, është personi i vetëm nën akuzë nga Prokuroria e Tiranës, ku sipas organit hetimor, pretendohet se ka kryer veprën penale të “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje”. Gjithnjë sipas hetimit, ai rezulton të ketë sjellë nga Gjermania në Shqipëri 1 palë targa gjermane, të cilat u përdorën në makinën që shërbeu në këtë vrasje. Por nga ana tjetër, Nikollë Shërniku ka pretenduar se në kohën kur ka ndodhur ngjarja, ai ka qenë i izoluar në burg, pasi po vuante një dënim tjetër për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”. Tashmë këto pretendime duhet të verifikohen nga prokuroria, e cila më pas do të vendosë nëse do e kalojë për shqyrtim gjyqësor dosjen penale. Në këtë ngjarje mbeti e vrarë Mimoza Paja dhe u plagosën Shehat Murati, Astrit Memaj, Genci Shaholli, Ermir Dajçuku, Emanuel Çala dhe 10-vjeçarja R.P..
Shërniku është personi i vetëm i arrestuar nga policia, ndërsa autorët e tjerë vijojnë të mbeten të paidentifikuar. Fillimisht Shërniku u deklarua fajtor dhe dënuar me 5 vite burgim për akuzën e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje”, por më pas ky dënim u shfuqizua nga Gjykata e Apelit, duke kthyer çështjen për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë. Ndërsa mësohet se kjo gjykatë ka vendosur të kthejë dosjen e Shërnikut, për plotësim hetimi, me qëllim verifikimin nëse ka qenë në burg, ose jo gjatë kohës kur ka ndodhur ngjarja me një të vrarë dhe 6 persona të plagosur. Aso kohe u bë me dije se Fatjon Muarataj ishte në arrest shtëpie, por që natën e ngjarjes policia bëri me dije se nuk e kishte gjetur në ambient, ndonëse më vonë Murataj arriti të fitonte mbi drejtësinë në lidhje me akuzat që ishin ngritur ndaj tij.