Një 36-vjeçar është arrestuar në Portin e Durrësit, pasi ka tentuar të nxjerrë jashtë territorit shqiptar 223.200 euro të pa deklaruara.
Policia njofton se sasia e parave iu gjet në çantën e shpinës.
Njoftimi:
Port, Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Aseti”.
Sekuestrohen 223 200 euro të dyshuara produkt i veprimtarive kriminale.
Arrestohet 36-vjeçari, rezident në Itali, që tentoi t’i nxirrte paratë nga Shqipëria, pa i deklaruar në pkk.
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë, me objektiva parandalimin dhe goditjen e krimeve ne kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në bashkëpunim me autoritetet doganore, finalizuan operacionin “Aseti”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi shqiptar, M. D., 36 vjeç, rezident në Itali, sepse iu gjetën në çantën e shpinës, 223 200 euro që tentonte t’i nxirrte nga Shqipëria, pa i deklaruar në pkk.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, ku vijojnë hetimet për të përcaktuar burimin e këtyre parave.