Jorida Tabaku në Komisionin e Çështjeve Europiane: “Paketa e Maleve” shkel ligjin dhe favorizon abuzimet me pronën

Shqipëria

Jorida Tabaku në Komisionin e Çështjeve Europiane: “Paketa e Maleve” shkel ligjin dhe favorizon abuzimet me pronën

Më: 10 mars 2025 Në ora: 13:06
Jorida Tabaku

Gjatë debatit të sotëm në Komisionin e Çështjeve Europiane, ku ajo është kryetare, deputetja e PD-së Jorida Tabaku e cilësoi “Paketën e Maleve” si një ligj të pastër klientelist dhe antikushtetues, i cili shkel hapur parimet e një tregu të lirë dhe konkurrues.

“Ju sot po sillni një projektligj që bie ndesh me vetë ligjet që keni miratuar në vitin 2020 dhe me parimet e prokurimit publik që kërkojnë transparencë dhe garë të hapur. Ky nuk është as integrim europian, as reforma që na çojnë përpara – ky është një ligj i pastër korruptiv!” – u shpreh Tabaku.

Ajo akuzoi mazhorancën për krijimin e një skeme të re për të shpërblyer klientët politikë në prag zgjedhjesh, duke shpërndarë prona publike pa asnjë mekanizëm kontrolli.

“Pse një qytetar nga diaspora nuk mund të marrë pjesë në këtë proces? Pse prona u jepet atyre që e kanë zaptuar për 10 vjet dhe jo nëpërmjet një gare të hapur? Kjo nuk është as reformë, as zhvillim ekonomik – kjo është legalizim i vjedhjes dhe favorizim i klientëve tuaj!” – tha ajo.

Deputetja demokrate theksoi se ky ligj bie ndesh me angazhimet e qeverisë për negociatat me BE, veçanërisht në kapitullin 5, ku flitet për garantimin e klimës së biznesit, investimeve të huaja dhe ndalimin e përjashtimeve me ligj.

“Ju vetë keni deklaruar se do të hiqni dorë nga përjashtimet me ligj, por sot vini dhe sillni një projektligj që pikërisht krijon përjashtime. Ky nuk është integrim europian, kjo është hipokrizi politike!” – tha Tabaku.

Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për fuqinë e pakufizuar që ky ligj i jep pushtetit vendor në përcaktimin e zonave të veçanta të zhvillimit, duke theksuar mungesën e një mekanizmi kontrolli.

“Kush do të bëjë kontrollin? Çfarë roli ka KLSH? A ka këtu transparencë? Apo thjesht po i varni një kumbonë në qafë pushtetit vendor për të larë duart?” – deklaroi Tabaku, duke paralajmëruar se ky ligj është një përsëritje e skemës klienteliste të Korporatës së Investimeve, që në fillim u mohua, por më pas doli se ishte një ligj me porosi.

“Ky është një ligj që shkel çdo normë të shtetit të së drejtës dhe të ekonomisë së lirë. Me këtë ligj ju po e bëni Shqipërinë një vend ku prona shtetërore shpërndahet me vendime politike dhe jo me rregulla të qarta dhe të drejta. Kjo nuk është as reformë, as zhvillim – është kapje e shtetit!” – përfundoi Tabaku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat