Komisioni i Medias, seancë dëgjimore me kandidatët për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së

Shqipëria

Komisioni i Medias, seancë dëgjimore me kandidatët për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së

Më: 10 mars 2025 Në ora: 14:32
Komisioni i Medias

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik po zhvillon sot një seancë dëgjimore me disa prej kandidatëve për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH.

Kryetarja e këtij komisioni, Ina Zhupa tha se procesi i dëgjesave vjen pas shkarkimit të anëtarëve të këtij këshilli nga komisioni. “Uroj që dëgjesat tona të ngrihen në nivelet e profesionalizmit që kërkojmë për anëtarët e ardhshëm të këtij këshilli”, u shpreh ajo në nisje të punimeve.

Zhupa iu drejtua kandidatëve me një pyetjen e njëjtë pse ata kanë kandiduar për këtë pozicion dhe çfarë do të sjellin ata më shumë për RTSH.

Një prej kandidatëve për anëtar të Këshillit Drejtues të RTSH-së, Agim Bajko tha se “periudha 20-vjeçare në median e shkruar e elektronike janë një bagazh mjaft i çmuar për këtë post për të cilin kandidoj”.

Ndërsa kandidati tjetër Alfons Zeneli u shpreh se “kontributi im në këtë këshill do të jetë efikas për shkak të eksperiencës së gjatë që kam në RTSH duke pasur parasysh gjithë ato kanalet, labirintet sesi funksionojnë punët në televizion”.

Duke folur për arsyet e kandidimit për anëtar të Këshillit Drejtues të RTSH-së,  Alket Braho theksoi se “besoj se i përmbush kriteret në aspektin formal, por nuk është se kjo arsyeja domethënëse”. “Besoj se me formimin tim profesional mund të jap kontributin tim të rëndësishëm për transmetuesin publik në Shqipëri. RTSH ka pasur dhe duhet të ketë një rol të rëndësishëm në informimin e publikut dhe edukimin e qytetarëve dhe promovimin e traditave tona të kulturës dhe identitetit kombëtar”, u shpreh ai.

Kandidati Arben Derhemi tha se “disa prej pikave kryesore që mendoj se duhet të ndryshojnë në RTSH janë pika që kanë të bëjnë me artin kulturën  filmin në përgjithësi, prodhimin nga ana e një të televizioni të tillë, që duhet të japë llogari për një publik të tërë dhe paanësinë politike, profesionale të atij televizioni. Një pikë tjetër është zhvillimi i atij televizioni nga ana e cilësisë së programeve, të cilët edukojnë një popull të tërë dhe një rini të tërë, të cilën duhet ta kemi shumë parasysh se është një televizion që në fund të fundit jep llogari para një publiku të tërë, ndaj quhet RTSH”.

Anila Varfaj, një tjetër kandidate për anëtare e Këshillit Drejtues të RTSH-së tha se “RTSH ka disa mangësi, pasi politika editoriale deri diku ka qenë jo gjithëpërfshirëse. Një ndër gjërat do theksoja nevoja për të qenë spektri i humorit, digjitalizimi dhe së treti doja të ndaloja tek një aspekt i pakundërshtueshëm që është orkestra e RTSH, e cila mund të bëjë që ky institucion të njihet jo vetëm institucionalisht, por edhe ndërkombëtarisht”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat