Kuvendi mban 1 minutë heshtje për Andis Harasanin/ Berisha: E nderova se mbeti socialist, ju e përzutë atë nga PS

Shqipëria

Kuvendi mban 1 minutë heshtje për Andis Harasanin/ Berisha: E nderova se mbeti socialist, ju e përzutë atë nga PS

Më: 10 mars 2025 Në ora: 17:41
Sali Berisha

Në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, është mbajtur një minutë heshtje në nder të ish-deputetit socialist, Andis Harasani, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.

Të dyja krahët politike, nderuan ish-deputetin socialist.

Kreu i PD-së Sali Berisha, pasi u mbajt një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të PS-së Andi Harasani, iu drejtua socialistëve duke u thënë se duhet të kërkojnë ndjesë se e larguan nga partia.

Berisha tha se Harasani ishte një patriot, një njeri i cili nuk pranoi kurrë të bëjë kompromis me të keqen.

“Mendoj se, aktet e nderimit duhet të jenë të plota dhe të sinqerta.

Andis Harasani i përkiste një plejade politikanësh të rinj. E vërteta, i shkolluar mirë, i kyçur në proceset demokratike që në fillim.

Por nuk mund të mohohet se, ju e përzutë atë, dhe duhet të kërkoni ndjesë. Jo ju personalisht, se nuk e përzutë ju personalisht, por rilindja e përzuri atë.

E kam nderuar me bindje të plotë për atë që thashë, sepse një politikan që rininë ja kushtoi ndryshimit të Shqipërisë, për ato ideale, por e kam nderuar se mbeti socialist besnik i atyre parimeve që besonte gjer ditën e fundit.

Një patriot, një njeri i cili nuk pranoi kurrë të bëjë kompromis me të keqen, siç bëtë ju, me radhë.

Prandaj mund ti kërkonit ndjesë dhe ju garantoj se veç se përfaqësoje jo mendimin e Sali Berishës, por mendimin e qindra dhe mijëra socialistëve që e prisnin sot këtë nga ju”, tha Berisha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat