Deputeti socialist tërhiqet nga gara, thirrje kolegëve: Kush ka probleme me SPAK, të mos kandidojë në zgjedhje

Shqipëria

Deputeti socialist tërhiqet nga gara, thirrje kolegëve: Kush ka probleme me SPAK, të mos kandidojë në zgjedhje

Më: 11 mars 2025 Në ora: 09:48
Petro Koçi

Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka njoftuar sot se është tërhequr nga gara për deputet në Zgjedhjet Parlamentare të 11 majit.

Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Koçi shkruan se përfshirja e tij në aktivitetin organizativ në parti u ndërpre si me thikë, duke mos u lajmëruar asnjë për mbledhjet apo takimet, me përjashtim të rasteve kur lajmërimet për to bëhenin në Whatsapp.

Reagimi i Petro Koçit

E dashur Ogerta, të dashur kolegë deputetë socialistë të Tiranës sonë,

E kam detyrim automatik moral, politik dhe shoqëror t’ju bëj të ditur përcaktimin e qëndrimit tim lidhur me procesin e emërimit të kandidaturave të partisë sonë për deputetë:

1.Unë do të punoj me sa më ha krahu dhe kudo më shpien këmbët për fitoren e PS në zgjedhjet e 11 Majit. Fatmirësisht, ec dhe ngjis shkallët më shpejt dhe pa më marrë fryma, në krahasim me dhjetëra të tjerë që janë në moshë më të re politike apo biologjike.

2.Unë nuk do të jem në listën përfaqësuese të kandidaturave për deputetë, jo për ndonjë paburrëri politike, frikë dështimi personal apo braktisje të shpirtit të solidaritetit, por sepse ndryshe nga të gjithë ju, jam i vetmi që nuk kam shansin e startit në kushte të barabarta, sepse nuk kam në ngarkim një zonë përgjegjësie politike elektorale.

3.Pas një fushate jotregtare në zgjedhjet e fundit vendore në kryeqytet, bashkë me strukturën organizative të zonës, e nxorrëm Kombinatin të parin, me një rezultat që e çoi shtangën elektorale në 60% për PS.

4.Caktimi i Blendi Gonxhës si përgjegjës politik në zonë ishte një zgjedhje e mençur dhe e qëlluar, sepse problemet madhore të Kombinatit, si pasojat e tërmetit, procesi i rindërtimit, apo impakti i projekteve madhore të unazës dhe të Lanës, kërkonin një fuqi ekzekutive të dedikuar dhe kompetente për t’ua koordinuar zgjidhjet. Unë e vlerësoj shumë punën e tij elektorale dhe besoj se Kombinati do të jetë sërish i pari në garën zgjedhore.

5.Megjithatë, ky ndryshim në përgjegjësinë drejtuese solli një spostim jotransparent dhe mos përcaktim të qartë të funksionit tim në zonë. U ndërpre si me thikë përfshirja ime në aktivitetin organizativ të partisë, duke mos u lajmëruar kurrë për kalendarin e përditshëm të mbledhjeve dhe takimeve, përjashto rastet kur ky kalendar varej nga selia qendrore dhe lajmërimet mbërrinin nëpërmjet rrjetit në grupin WhatsApp të deputetëve. Nuk di nëse kjo situatë ishte e orientuar apo ishte pasojë e ndonjë intrige shpirtvogël. Megjithatë, e fal çdokënd që më apo pa dashje ka gisht në këtë mëkat, i cili mbetet i parëndësishëm për interesa përtej meje.

6.I mbetem mirënjohës Edi Ramës për ripërfshirjen time në përgjegjësi të larta politike, që mund të mos kishte ndodhur pa tolerancën e tij pas përplasjeve të vitit 2008, një përfshirje që filloi me mirëpritjen në mitingjet kundër pushtetit të Berishës pas zgjedhjeve të 2009 dhe vazhdoi me bashkëpunimin e ngushtë në luftën kundër korrupsionit në protestën e 21 Janarit 2011, me zgjedhjet e vjedhura të Tiranës të atij viti, zgjedhjet e 2013-ës dhe pastaj kulmoi me detyrat e larta të besuara të zv.ministrit të Mbrojtjes dhe të deputetit në zgjedhjet e 2021. Uroj që këtë besim ta kem shlyer në lartësinë e duhur. Jua them këto për të dëshmuar se nuk jam nga ata që mendojnë se PS u ka borxhe. Përkundrazi!

7.E shfrytëzoj këtë komunikim publik për t’i bërë thirrje çdo kolegu, deputet ose jo, që ka probleme hetimore serioze me SPAK të mos kandidojë në këto zgjedhje. Kam besim se çdo person të cilit do t’i ndërpritet procesi hetimor apo do të mund të marrë pafajësinë më vonë, PS do t’i japë meritat e duhura në vijim.

8.Këto zgjedhje janë me rëndësi historike kombëtare, sidomos në dy aspekte ku më i rëndësishmi është integrimi europian, i cili do të ndërpritej dhe do të shtyhej nëse Koalicioni i Krimit Madhështor do kishte shansin të fitonte zgjedhjet dhe po aq i rëndësishëm është fati i reformës në drejtësi. Edhe pse po e paguajmë me lëkurën tonë, drejtësia e re ka garantuar vetëm PS. E theksoj këtë që të vëmë në dukje drejtuesit e fushatës të respektojnë verbërisht ligjin, në mënyrë që të mos japim asnjë shans gojëve të madhështorëve të krimeve madhore të tranzicionit politik.

Me respekt dhe në gatishmëri për punët tona elektorale,
Petro.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat