Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar një protestë më 15 mars kundër vendimit të qeverisë për mbylljen e platformës TikTok.
Protesta do të zhvillohet para godinës së Kryeministrisë dhe është caktuar të mbahet në orën 19:00 të pasdites të së shtunës.
Sipas burimeve nga PD, thirrja për këtë protestë u bë pas vendimit të Kryeministrit Edi Rama për të mbyllur TikTok në Shqipëri për një periudhë prej një viti.
Berisha e cilësoi këtë vendim si “akt brutal” dhe një “intolerancë ndaj mendimit ndryshe”, duke shtuar se ky bllokim u mor pasi përdoruesit e TikTok po e kritikonin dhe përqeshnin Kryeministrin Rama.
Në reagimin e tij, Kryeministri Edi Rama, përmes një video-mesazhi në Facebook, sqaroi se ky vendim u mor pas kërkesave të shumicës së prindërve dhe mësuesve të Këshillimit Kombëtar.
Sipas Ramës, mbyllja e TikTok nuk ka lidhje me lirinë e fjalës, por është një masë për sigurinë e fëmijëve në internet. “95% e prindërve dhe mësuesve kërkuan që të mbyllim TikTok-un sa më shpejt.
Po punojmë me kompaninë për të siguruar që platforma të ofrojë një plan të qartë për mbrojtjen e të miturve”, theksoi Rama.
Ai shtoi se kjo mbyllje është përkohshme dhe do të zgjasë deri në momentin që TikTok të ofrojë garanci të plota për mbrojtjen e fëmijëve. Për më tepër, Rama e quajti Berishën “bufi i kënetës” dhe kritikoi qëndrimin e tij lidhur me protestën.
Qeveria shqiptare ka vendosur të mbyllë TikTok nga mesi i marsit për një periudhë njëvjeçare. Ky vendim, që do të hyjë në fuqi pas një jave, është njoftuar nga Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, pas një mbledhjeje të Këshillit të Ministrave.
Sipas saj, Agjencia e Sigurisë Kibernetike do të mbyllë menjëherë platformën kineze për të shmangur ndikimet negative të mundshme tek fëmijët.
“Kemi zhvilluar një seri takimesh me 65,000 prindër dhe kemi marrë rekomandime për mbylljen ose kufizimin e përdorimit të TikTok. Prindërit janë shqetësuar për sigurinë e fëmijëve dhe përmbajtjet e pakontrolluara në këtë platformë,” theksoi Manastirliu.
Sipas ministres, mbyllja e TikTok është një masë përkohshme dhe do të zgjasë deri në momentin kur të arrihen marrëveshje me kompaninë për filtrat e sigurisë dhe përmbajtjet që mund të dëmtojnë zhvillimin e fëmijëve. “Jemi në bisedime me TikTok për të vendosur filtra dhe për të mundësuar kontrolle më të forta prindërore”, tha ajo.
Vendimi i Këshillit të Ministrave
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, pika 1, 26, pika 1, 139, pika, 2, 174 e 177, pika 5, të ligjit nr.54/2024, ‘Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë’, të neneve 32, pika 4, 32/1, 42 e 46, të ligjit nr.97/2013, ‘Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, si dhe të pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr.18/2017, ‘Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës’, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Arsimit dhe Sportit, të ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave vendosi ndërprerjen e aksesit në platformën ‘online’ ‘TikTok’ në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj, me qëllim shmangien e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale në tërësi, kryesisht në nxitjen e dhunës, veçanërisht te fëmijët, që sjellin probleme të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Caktimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me autoritetet rregullatore sektoriale e nëpërmjet tyre, si dhe autoritetet e tjera, që përfshihen në këtë proces, për të komunikuar e negociuar me përfaqësuesit e platformës ‘online’ ‘TikTok’ dhe me përfaqësues të platformave të tjera ‘online’, për të adresuar problematikat në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital, duke përfshirë: operimin efektiv të sistemeve funksionale të verifikimit të moshës së përdoruesve të platformës, operimit të sistemeve të kontrollit prindëror lidhur me përmbajtjet, që dëmtojnë zhvillimin fizik, psikologjik ose moral të fëmijëve, shmangien e publikimit të materialeve me përmbajtje dhune, bullizmi, gjuhë urrejtjeje apo me fjalor të papërshtatshëm, përshtatjen e përdorimin e filtrave të moderimit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare”, thuhet në vendimi ne qeverisë.