Shpërndanin kartëmonedha euro të falsifikuara, dy të arrestuar në Vlorë

Shqipëria

Shpërndanin kartëmonedha euro të falsifikuara, dy të arrestuar në Vlorë

Më: 11 mars 2025 Në ora: 11:44
Foto nga vendi i ngjarjes

Vihen në pranga 2 shtetasit Jurgen Tërpo dhe Bledar Sulko që siguronin euro të falsifikuara dhe procedohet shtetasi Trifon Kiço që i fuste në treg duke kryer blerje në biznese të ndryshme të qytetit.

DVP Vlorë/Finalizohet operacioni policor “Fake Cash”, goditet një rast i shpërndarjes së kartëmonedhave të falsifikuara.

Vihen në pranga 2 shtetas që siguronin euro të falsifikuara dhe procedohet penalisht 1 tjetër që i fuste në treg duke kryer blerje në biznese të ndryshme të qytetit.

Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në DVP Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fake Cash”. Si rezultat, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

• J. T., 25 vjeç, banues në Skrapar;
• B. S., 35 vjeç, banues në Përmet.

Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi T. K., 24 vjeç, banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitet të kundërligjshëm të shpërndarjes së kartëmonedhave të falsifikuara në qytetin e Vlorës. Shtetasi T. K. dyshohet se siguronte kartëmonedha false nga dy të arrestuarit dhe më pas i fuste në treg duke i përdorur për blerje në biznese të ndryshme të zonës.

Gjatë operacionit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një shumë prej 2550 eurosh të dyshuara të falsifikuara, në prerje 50 dhe 100 euro.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat