Erion Veliaj ka dalë sot para trupës gjykuese të Apelit të Gjykatës së Posaçme, për të kërkuar zbutjen e masës së dhënë ndaj tij, atë të arrestit me burg, ndërsa rreth orës 9:40 ka mbërritur nga paraburgimi i Durrësit në ambientet e Gjykatës.
Kryebashkiaku i Tiranës, që vazhdimisht e ka cilësuar arrestimin e tij si të paligjshëm dhe ndaj prokurorit të çështjes ka hedhur akuza, sot prej orës 10:00 u fut në seancën që zgjati 7 orë dhe u drejtua nga gjyqtari Engert Pëllumbi.
Ky i fundit është gjyqtari që dënoi me burg ish-ministrin Saimir Tahiri, ndërsa u zgjodh me short për të gjykuar edhe çështjen e Veliajt, pasi gjyqtarja Ilirjana Olldashi ndodhet me raport për shkak të problemeve shëndetësore.
Gjyqi u shty për ditën e nesërme në orën 12:30. Gazetarja Anila Hoxha raporton se do njihen avokatët me provat e reja.
Masën e kanë ankimuar edhe 4 nga 6 biznesmenët e akuzuar për korrupsion në këtë çështje, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula, aktualisht nën masën “detyrim paraqitje”, ndërsa biznesmeni Elman Abdule, i arrestuar, kërkon një masë më të butë se paraburgimi. Ndërkohë biznesmenët Sokol Kryeziu dhe Fatmir Bektashi nuk e kanë ankimuar vendimin e Gjyktës së Posaçme, “detyrim paraqitje”.
Veliaj akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitje, edhe për mosdeklarim pasurie.