Në Shqipëri, Gjykata e Lartë vendosi sot të mos pranojë ankimimin e ish deputetit Ervin Salianji kundër dënimit të tij me 1 vit burgim nga Gjykata e Apelit. Në shtator të vitit të kaluar zoti Salinji u gjet fajtor për akuzën e “Kallëzimit të rremë” për rastin e një audio-përgjimi, të bërë publik prej tij dhe Partisë Demokratike në vitin 2018, ku pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.
Çështja në atë kohë, krijoi debate të forta politike, dhe opozita kërkoi me ngulm dorëheqjen e zotit Xhafa, ndërsa ky i fundit mohoi kategorikisht që të ishte përfshirë vëllai i tij, i cili në fillim të viteve 2000 kishte patur një dënim për trafik droge në Itali.
Hetimet e prokurorisë mbi rastin, zbuluan se biseda ishte inskenuar, dhe se rolin e vëllait të zotit Xhafaj, e kishte marrë përsipër një tjetër person. Sipas prokurorisë zoti Salianji ishte përfshirë në “krijimin e provave të rreme për të dëmtuar politikisht zotin Fatmir Xhafaj, në atë kohë në detyrën e ministrit të Brendshëm”.
I dënuar fillimisht me vendim të Gjykatës së Tiranës, zoti Salianji përfundoi në burg pasi i njëjti dënim u konfirmua dhe nga Apeli. Në atë kohë ai foli për një vendim politik, ndërsa burgosja e tij u shoqërua me akte force në parlament nga ana e opozita e cile e konsideroi dënimin e tij, si një aktlufte ndaj saj nga ana e kryeministrit Edi Rama.
Nëse Gjykata e Lartë do ta shpallte të pafajshëm zotin Salianji, atëherë kjo do t’i jepte atij mundësi që të garonte dhe në zgjedhjet e 11 majit. Edhe sot, përmes një reagimi në rrjetet sociale ai shkroi se dënimi politik bëhet sipas tij për ta “eleminuar atë nga betejat politike”. Anëtarët e Gjykatës së Lartë, theksoi ai, “nuk kanë as etikë profesionale dhe as guximin minimal që të japin drejtësi e të hyjnë në konflikt me Edi Ramën”./Voa