Në Shqipëri, ish Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, u dënua sot me 4 vjet burgim, që për shkak të gjykimit të shkurtuar konvertohen në 2 vjet e 8 muaj burgim. Gjykata e Posaçme e gjeti atë fajtor nën akuzën “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në dy raste, për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Zotit Bllako, po ashtu, i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë 5 vjeçare.
Sipas Prokurorisë, për ish Sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë së Mjedisit, gjatë hetimeve janë konstatuar akte korruptive në dy raste, kur ai “ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt 119.751 euro dhe 7,5 milionë lekë”.
Në rastin e shumës në euro, ajo rezulton se është përfituar nga pronarët de facto të shoqërisë që kishte marrë me koncension ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, sipërmarrësit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, “si pagesë për blerjen e pajisjeve për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako në Ersekë”.
Ndërsa shuma prej 7,5 milionë lekësh, sipas hetimeve, i është kërkuar Zotos, si pagesë për Vladimir Bezhanin, i propozuar nga zoti Bllako, si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit të kohës, Lefter Koka.
Ish sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është deklaruar i pafajshëm. Sipas mbrojtjes së tij, ai ka bërë thjeshtë siglime të shkresave, te cilat i ka pasur për detyrë për shkak të funksionit të tij, dhe se nuk ka përfituar para nga kjo çështje.
Në dhjetor të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme lëshoi 15 urdhërat e parë të arrestit për inceneratorin e Tiranës, përfshirë dhe zotin Bllako, ish ministrin e Koka si dhe dy sipërmarrësit Mërtiri dhe Zoto. Të katër ishin mes të akuzuarve dhe në rastin e dy inceneratorëve të tjerë, në Elbasan dhe Fier.
Në gusht të vitit 2024, ndërsa mbylli hetimet për pjesën dërrmuese të të arrestuarve, Prokuroria veçoi prej tyre, çështjen e zoti Bllako.
Ai ishte arrestuar në mars të vitit 2022, ndërkohë që ishte deputet I Partisë socialiste, për përfshirjen në rastin e inceneratorit të Fierit, ku u akuzua për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion” në dy raste, dhe u dënua në vitin 2023 me 4 vjet burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim u konvertua në 2 vjet e 8 muaj. Por në dhjetor të vitit të shkuar Gjykata e Posaçme e Apelit e riktheu çështjen për rigjykim, me një tjetër trupë gjyqtarësh.
Akuza për “shpërdorim detyre” ishte ngritur më pas ndaj tij dhe për rastin e Elbasanit, por Gjykata e Posaçme e kishte shpallur atë të pafajshëm. Megjithatë, në nëntor të vitit 2024, Apeli i Posaçëm, e shpalli sërish atë fajtor, duke e dënuar po me 4 vjet burgim, të konvertuara në 2 vjet e 8 muaj./Voa