I lakuar mes bashkëqytetarëve për të qenë kandidat, reagon Prefekti i qarkut të Korçës Nertil Jole

Shqipëria

I lakuar mes bashkëqytetarëve për të qenë kandidat, reagon Prefekti i qarkut të Korçës Nertil Jole

Më: 13 mars 2025 Në ora: 12:24
Nertil Jole

Prefekti i Qarkut të Korçës Nertil Jole ishte ndër emrat më të lakuar në opinionin e gjerë qytetar të këtij qarku për të qenë kandidat në listat e PS, për vetë profilin dhe angazhimin e tij. Por në listën e shpallur nga drejtuesi politik i qarkut, emri i tij mungonte. Pak orë pas publikimit të listave Jole me një akt qytetarie uroi kandidatët për suksese dhe falenderoi të gjithë ata që kishin besuar se emri I tij do të ishte në këtë listë.

“Të dashur qytetarë të qarkut të Korçës, miq e bashkëpunëtorë!

Shpallja e kandidaturave të PS për zgjedhjet e 11 majit konkretizoi një proces të rëndësishëm përzgjedhjeje për përfaqësimin e qytetarëve. Urime gjithë kandidatëve të përzgjedhur dhe shumë suksese!

Me mirënjohje të thellë falënderoj çdo mik, bashkëpunëtor, qytetar, socialist dhe jo vetëm, për vlerësimin në mesazhet dhe telefonatat e orëve të fundit, që më bënë të kuptoj se më kishin menduar mes përfaqësuesve të mundshëm.

Pavarësisht se nuk jam pjesë e listës për arsye që nuk varen nga unë, angazhimi im për qytetin dhe qarkun tonë mbetet i palëkundur. Politika nuk është vetëm një mandat, por mbi të gjitha një përgjegjësi për t’ju përfaqësuar me ndershmëri dhe përkushtim.

Unë do vazhdoj të jem pranë jush, të dëgjoj shqetësimet tuaja dhe të kontribuoj për punë të mira që do t’i realizojmë bashkërisht. Besimi dhe mbështetja juaj më motivojnë të vijoj përpjekjet për punë të mira.

Suksese të gjithëve për fitoren e 11 majit! Për Shqipërinë.

Me respekt dhe mirënjohje për të gjithë ju!”, shkruan Jole në rrjetet sociale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat