Nën moton “Për një ekonomi më të fortë, për një Shqipëri më të begatë”, dhomat tregtare kanë paraqitur një sërë propozimesh për partitë politike në prag të zgjedhjeve parlamentare, duke kërkuar përfshirjen e tyre në programet qeverisëse për të adresuar sfidat aktuale dhe për të përmirësuar klimën e biznesit në vend.
Me një listë të gjatë prej nëntë pikash, shoqatat theksojnë se në një moment kyç të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, bizneset të vogla dhe të mesme shqiptare, të cilat janë dhe shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare, duhet të jenë të përgatitura për të përballuar qendrueshmërinë dhe konkurrencën në tregun e përbashkët evropian.
Ndër propozimet kryesore të tyre janë:
Propozimet për partitë politike nga Shoqata e bizneseve:
Përmirësimin e infrastrukturës për të lehtësuar operacionet e biznesit.
Reformimin e sistemit të taksave, duke thjeshtuar procedurat dhe ulur barrën fiskale për bizneset e vogla dhe të mesme.
Lehtësimin e procedurave burokratike për hapjen dhe operimin e bizneseve.
Mbështetjen e inovacionit dhe teknologjisë për të rritur konkurrueshmërinë.
Fuqizimin e arsimit profesional, duke përshtatur programet arsimore me nevojat e tregut të punës
Përmirësimin e sistemit të drejtësisë për të siguruar një mjedis më të sigurt për bizneset.
Nxitjen e eksportit dhe zgjerimin në tregjet ndërkombëtare.
Përmirësimin e sistemit të financimit për bizneset, duke lehtësuar aksesin në kredi.
Rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit në sektorin publik.
Me zgjedhjet në prag, grupet e biznesit kërkojnë që propozimet e tyre të përfshihen në agjendat qeveritare, duke paralajmëruar se pa veprime konkrete, rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës do të mbeten të bllokuara.