Gazetarja Aida Topalli sjell detaje të reja lidhur me operacionin e policisë për goditjen e një rrjeti prostitucioni me vajza të huaja në Shqipëri.
Ajo dha informacione mbi nisjen e hetimeve për këtë rrjet, si dhe mënyrën e rekrutimit të vajzave nga Kolumbia, të cilat më pas silleshin në Tiranë. Gazetarja shpjegoi gjithashtu rolin e taksistit shqiptar që po hetohet lidhur me këtë çështje.
“Në vitin 2023, Gabriela Martinez, e dyshuar si koka e këtij rrjeti prostitucioni, ka ardhur në Shqipëri dhe është takuar me një shtetas shqiptar, i cili punonte si taksist pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit. Policia dyshon se ky grup ka funksionuar që prej vitit 2023 dhe ka vazhduar të sofistikohej dhe të shtohej, duke rritur numrin e vajzave të huaja që kryenin prostitucion në vendin tonë,” tha gazetarja.
Ajo shtoi se 47-vjeçarja shpenzonte deri në 4,000 euro për ndërhyrje estetike për përmirësimin e imazhit të vajzave që silleshin për prostitucion në Shqipëri.
“Kemi të bëjmë me një rrjet të mirëfilltë prostitucioni, ndërsa hetimet nisën pas ankesave të banorëve të zonës, që njihet me emrin ‘Farmacia 10’ në Tiranë. 47-vjeçarja kishte një agjensi udhëtimi në Kolumbi dhe përmes kësaj agjensie rekrutonte vajza të reja nga shtresa të ulëta sociale, nga familje të varfra. Ajo u thoshte se do të punonin jashtë shtetit. Ajo shpenzonte edhe para për vajzat, duke i zbukuruar me ndërhyrje estetike që të ishin të pëlqyeshme, i rregullonte dhëmbët dhe u paguante biletat dhe strehimin, duke shpenzuar deri në 4,000 euro për çdo vajzë,” shtoi gazetarja.
Kujtojmë se këtë të premte u godit një rrjet prostitucioni në kryeqytet. Si rezultat i hetimeve disa mujore, u ekzekutuan 11 masa sigurie, ndërsa në pranga përfunduan 8 persona, përfshirë organizatorë dhe bashkëpunëtorë të këtij aktiviteti kriminal. Tre persona të tjerë, mes tyre edhe drejtuesja e rrjetit, janë shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit, u proceduan penalisht edhe 44 shtetase të huaja nga Amerika Latine, të cilat dyshohet se shfrytëzoheshin për prostitucion. Sipas hetimeve, aktiviteti drejtohej nga 47-vjeçarja G. R., e cila operonte nga Kolumbia dhe bashkëpunonte me 39-vjeçarin E. S., përgjegjës për sigurimin e kushteve në Shqipëri për zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm. Ata kishin krijuar një strukturë të organizuar me ndihmën e disa personave të tjerë, mes tyre edhe një punonjëse policie, e identifikuar me inicialet A. B.
Masat e marra:
Arrest me burg për 6 persona, përfshirë organizatorë dhe persona që mbanin ambiente për prostitucion.
Arrest në shtëpi për dy shtetase, përfshirë edhe punonjësen e policisë.
Shpallje në kërkim për 3 persona, mes tyre edhe drejtuesja kryesore e rrjetit.