Në intervistën e tij të parë, Kryepiskop Joani ka folur për njohjen dhe marrëdhënien e tij me Fortlumturinë e Tij, Anastasin.
Ai ka rrëfyer se kontakti i parë më Kryepiskopin Anastas ka qenë në vitin 1992, kur njëri nga profesotët e tij, atë kohë Mitropolit e më vonë Kryepsikopi Dhimitër i tregoi rreth veprimtarisë së Fortlumturisë së Tij Anastasit në Greqi dhe si misionar në Afrikë.
Fortlumturia e Tij Joani shprehet se shembulli i Kryepiskopit të ndjerë Anastas ka qenë i rëndësishëm për të gjithë klerikët e Kishës Ortdokse, përfshirë dhe atë vetë. Kryepiskop Joani tregon se në periudhën kur ishte me studime nëpërmjet Mitropolitit Dhimitër është lidhur me Kryepsikopin Anastas dhe i ka thënë se pasi të mbaronte studimet do të kthehej në Shqipëri.
"Kontakti im i parë me Kryepeshkopin Anastas ishte në vitin 1992. Njëri nga profesorët e mi, Mitropoliti Dhimitër, më vonë Kryepeshkopi Dhimitër, meqenëse ishte një mik i ngushtë me Kryepeshkopin Anastas, qysh nga rinia e hershme, më tregoi rreth veprimtarisë së atij në Greqi dhe si misionar në Afrikë. Nëpërmjet tij u lidha me Kryepeshkopin, të cilit i thashë që kur të mbaroj studimet do të kthehem në Shqipëri. Ai u gëzua dhe më përgëzoi. Në atë kohë gjendja në Shqipëri ishte e vështirë, por unë mendova se në Amerikë një prift më shumë apo më pak do të ishte njësoj, ndërsa në Shqipëri ishte një nevojë e madhe për klerikë. Për më tepër ishte vendi im ku kam lindur dhe ku jam rritur dhe ndjeja një detyrim. Këto ishin arsyet përse u ktheva.
Mendoj se shembulli i tij ka qenë i rëndësishëm për të gjithë klerikët e kishës sonë, përfshirë edhe mua. Dashuria e tij për Kishën dhe për të gjithë njerëzit, urtësia dhe përkujdesja për grigjën që i kishte besuar Perëndia, durimi dhe vendosmëria për të realizuar objektivat që i kishte vënë vetes për rindërtimin nga gërmadhat të kishës sonë, ishin gjithmonë një shembull i gjallë, me shumë fuqi, për të frymëzuar të tjerët. U dorëzova nga ai si dhjak, prift dhe peshkop”, ka thënë Fortlumturia e Tij, Joani.