Skiatori i Kombëtares së Kosovës, Arbi Pupovci, sot ka shënuar rezultat fantastik në turneun ndërkombëtar “Erzurum 2020”, që po mbahet në Erzurum të Turqisë.
Anëtari i klubit Alpi nga Peja, ka bërë rrëshqitje fenomenale në disiplinën e sllallomit, duke e zënë vendin e tretë, në garën që është në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Skive (FIS).
Pupovci në një konkurrencë shumë të fortë, u stolis me medalje të bronztë, duke shënuar sukses të madh dhe në përgjithësi për sportin e Kosovës.

“Bota sot”: Arbi, sot arritët një rezultat të jashtëzakonshëm, pozitën e tretë në garën "Erzurum 2020", sa ishte vështirë?
Arbi Pupovci: Konkurrenca ishte e madhe, kishte shumë garues të nivelit të lart dhe jam shumë i kënaqur me rezultatin e sotshëm.
“Bota sot”: Çfarë iu shkoi ndoresh?
Arbi Pupovci: Jam i përgatitur dhe sllallomi është një disiplinë të cilën e preferoi shumë.
“Bota sot”: Cilat janë synimet tjera?
Arbi Pupovci: Të përgatitem sa më shumë për Kampionatin Botëror, që mbahet në Cortina të Italisë në vitin 2021.

“Bota sot”: A ishte shtegu i përshtatshëm në Erzurum?
Arbi Pupovci: Shtegu ka qenë në kushte optimale.
“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me kushtet, me formën tuaj dhe a prisni edhe më shumë?
Arbi Pupovci: Jam shumë i kënaqur duke ju falënderuar sponzorit kryesor Elkos group me pronar z. Ramiz Kelmendi, i cili më mundësoi përgatitjen dhe pajisjet, pa të cilat nuk kisha mundur për te arritur këtë rezultat.
Njëherit e falënderoj Federatën Skitare të Kosovës dhe Komitetin Olimpik të cilët me kanë përkrahur shumë. Synimet e mia janë pjesëmarrja në Kampionatin Botëror edhe në Olimpiadën në Pekin 2022, në të cilën jam edhe bursist i Komitetit Olimpik të Kosovës.