Kiana Kryeziu bëhet skitarja e parë femër që ngjitet në podium në një garë ndërkombëtare!
Kiana Kryeziu ka hyrë në histori të skitarisë së Kosovës. Ajo është bërë femra e parë që ka fituar medalje në një garë ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë.
Kryeziu fitoi medaljen e argjendtë në disiplinën e sllallomit në garën e mbajtur sot në Kollashin të Malit të Zi. Ajo përfundoi me kohë 2:12.46 minuta.
Pjesëmarrës në garë ishin 18 garuese, ndërsa 12 prej tyre nuk e përfunduan njërin nga dy lëshimet. Bashkë me to ishte edhe Arba Pupovci, që nuk e përfundoi lëshimin e dytë.
Kiana, 17-vjeçare është zgjedhur këtë vit nga KOK-u pjesë e listës prej 24 bursistëve “Shpresa Olimpike 2021”, që do të marrin bursa mujore gjatë tërë vitit 2021, shkruan në faqen e Komitetit Olimpik të Kosovës.