Sot më 23 janar 2022, mbushen tre vjet nga vdekja e legjendës së skijimit Jahja Refikut.
Ai vdiq në moshën 82 - vjeçare pas një sëmundje të rëndë
I ndjeri Jahja ka lindur në Lisec të Tetovës më 10 tetor 1937.
Pjesën më të madhe të jetës së tij a e ka kaluar në Kodër të Diellit, ku ka punuar deri në vitin 1993. Tërë jetën ia ka kushtuar skijimit, ishte kampion i shumëfishtë i Maqedonisë, në kategorinë e pionierëve nga viti 1946-1951, kampion i të rinjve nga viti 1951-1955 dhe kampion i seniorëve nga viti 1955-1966.
Në Kampionatin e ish-Jugosllavisë në Jahorinë, në Bosnjë dhe Hercegovinë, 1954, fitoi vendin e parë në sllallom për të rinjtë, kurse në Kranjska Gora të Sllovenisë, në vitin 1955 fitoi vendin e tretë, nga viti 1955-1966, ka qenë kampion në kategorinë e seniorëve në ish Jugosllavi ku ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses së atij shteti.
Refik Jahja ishte njëri ndër kontribuuesit më mëdhenj në organizimin e garave ndërkombëtare të skijimit në Kodrën e Diellit, siç ishte rasti me garat “Kupa e Sharrit” si dhe organizime të shumta të garave vendore.
Legjenda e skijimit Refik Jahja gjithmonë do të mbetet në kujtimet e rinisë për at të arriturat në sport dhe afirmimin e sportit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Për sukseset e arritura në sport ai është nderuar me mirënjohje, medalje dhe plaketa të shumta.