Ish-kampionia olimpike Ceccarelli ndjek vajzën e saj Larën në Shqipëri. Ajo do të stërvitë ekipin kombëtar shqiptar të skive. Pra, Shqipëria na rrëmben një kampione, e cila duket se do të udhëheqë trashëgimtaren e saj në të njëjtën rrugë, por me ngjyrat kuq e zi.
Kështu shkruan “Gazzetta dello Sport”, teksa i referohet lajmit të dy ditëve më parë:
“Ish-skiatorja alpine italiane, kampione olimpike në supergjigantin e Salt Lake City 2002, Daniela Ceccarelli, do të jetë trajnere e kombëtares shqiptare të skive. Ceccarelli dhe e gjithë familja e saj kanë marrë nënshtetësinë shqiptare.
Ka qenë ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ai që ua ka dorëzuar pasaportat e reja në Tiranë. Në këtë mënyrë, Lara Colturi, vajza e Ceccarellit, do të mund të jetë pjesë e kombëtares kuqezi dhe të përfaqësojë Shqipërinë në kompeticionet ndërkombëtare.
“Kënaqësi e veçantë t’i jap pasaportën shqiptares më të re, Lara Colturi, e cila do të garojë shumë shpejt me flamurin tonë kombëtar në sportin e skive. Me kombësi dhe gjithashtu shtetësi italiane, Lara është një sportiste plot talent dhe shumë premtuese, me të cilën Shqipëria i ka të gjitha shanset të ketë një kampione olimpike.
Edhe nëna e Larës, Daniela Ceccarelli, një ish kampione olimpike në sportin e skive, tashmë do të drejtojë ekipin tonë kombëtar në këtë disiplinë. Një falënderim i veçantë për “kumbarin” e kësaj iniciative, presidentin e Federatës së Skive, Elvis Toçi dhe kryetarin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli.
Falë vendosmërisë së tyre dhe kontributit të çmueshëm kjo nismë u kurorëzua me sukses. Mbarë e mirë në karrierën tuaj tashmë për flamurin kuqezi dhe ta gëzoni pasaportën shqiptare”, – tha ministri në një ceremoni të mbajtur në zyrën e tij.