Në pistën e Semmering të Austrisë u zhvillua sot gara e sllallomit gjigand për femra, e vlefshme për Kupën e Botës në ski. Në këtë garë garoi për ngjyrat kuqezi edhe skiatorja Lara Colturi (italiane, por me nënshtetësi shqiptare).
Colturi nuk arriti ta përfundojë garën e saj, duke mos dhënë rezultat që në zbritjen e parë. Edhe pse po bënte një zbritje të mirë, 16-vjeçarja nuk arriti të shkojë në finish, duke mos patur kështu mundësi të vijojë garën e saj.
Lara Colturi është skiatorja e parë shqiptare që garon në Kupën e Botës dhe deri më tani ka grumbulluar 14 pikë.
Dy disiplinat e saj të preferuara janë ato të sllallomit dhe sllallomit gjigand, ku dhe ka garuar deri më tani, duke bërë një paraqitje të mirë.