Pesë bursistët e përzgjedhur për bursa olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026, kanë nënshkruar sot kontratat me KOK-un për mbështetjen financiare.
Të pesë sportistët Arbi Pupovci, Kiana Kryeziu, Lirika Deva, Drin Kokaj dhe Klos Vokshi, vijnë nga sporti i skitarisë, disiplinat e skijimit alpin.
Sportistët do të mbështeten me nga 600 dollarë në muaj përmes fondit të Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Me rastin e nënshkrimit, presidenti Ismet Krasniqi, duke i përgëzuar sportistët dhe trajnerët për nënshkrimin e kontratave, iu uroi fat dhe mbarësi në rrugëtimin e gjatë për të fituar normën olimpike.
Krahas KOK-ut dhe sportistit, kontratat u nënshkruan edhe nga përzgjedhësi, Agim Pupovci, dhe trajnerët, Visar Kryeziu e Milot Vokshi.
Të pranishëm ishin edhe kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi, njëherit nënpresident i KOK-ut dhe nënkryetari i FSK-së, Bujar Turjaka, anëtar i BE të KOK-ut dhe shefi i misionit për LO Paris 2024, Jeton Rudari, i cili prezantoi procedurat e raporteve dhe mënyrën e shfrytëzimit të bursave.