Ish - numri një në skijimin alpin, austriaku Marcel Hirscher, i cili doli në pension në vitin 2019, dëshiron që të rikthehet në gara, por këtë herë nën flamurin e Holandës, njoftoi Federata Austriake e Skive.
"Mësuam se Hirscher po mendon të rikthehet në garat ndërkombëtare.
Natyrisht, na vjen shumë keq për vendimin e tij për të kërkuar ndryshimin e shtetësisë për të skijuar për Holandën, por në fund e mbështetëm vendimin e tij nga respekti për të dhe në frymën e sportit”, tha sekretari i përgjithshëm i federatës austriake të skijimit, Christian Scherer.
Federata e Austriake e Skijimit sot zyrtarisht miratoi njëzëri kërkesën e Hircherit i cili është 35 vjeç dhe nëna e të cilit është holandeze.
Hirscher fitoi renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës në periudhën 2012-2019 dhe gjithashtu fitoi medalje të arta në sllallom dhe në disiplina të kombinuara në Lojërat Olimpike në vitin 2018, pesë tituj të Kampionatit Botëror dhe gjashtë “Globe të vogla” në sllallom dhe po aq në sllallom e madh.