“Të maltretuar e në borxhe”: Rruga drejt pensionit invalidor

Sociale

“Të maltretuar e në borxhe”: Rruga drejt pensionit invalidor

Më: 30 tetor 2022 Në ora: 16:37
Zyra e pensioneve në Prishtinë, pa qasje për karroca

“Borxhi, ditë të mira nuk pret”, thotë duke ofsharë Milaim Zariqi nga fshati Baincë i Drenasit - pjesa qendrore e Kosovës.

Ai është babai i Sokolit, 14 vjeç, i cili vuan nga sëmundja distrofi muskulare dhe është pothuajse i palëvizshëm.

Me Ligjin për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë në Kosovë, Sokolit i takon një mbështetje financiare prej 375 eurosh në muaj.Duke qenë në kategorinë e parë të invaliditetit, Sokoli ka gëzuar këtë pension nga viti 2017 dhe në qershor të këtij viti i është dashur t’i nënshtrohet rivlerësimit të rregullt të gjendjes së tij nga komisioni shëndetësor.

“Ne nuk e kemi ditur kohën saktësisht [se kur fillon procedura e rivlerësimit]. Kur kemi shkuar ta marrim pensionin, na kanë thënë: jo, s’e ke”, rrëfen babai i Sokolit për Radion Evropa e Lirë.

Për pesë muaj, Sokoli ka mbetur pa pension.Ndërkohë, babai i tij është dashur të mbledhë një grumbull dokumentesh për të - fillimisht nga autoritetet shëndetësore në rajonin ku jeton dhe më pas nga Klinika e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës - që dëshmojnë se pacienti ka specifika mjekësore që kërkojnë mbështetje financiare.

Pas mbledhjes së këtij dokumentacioni, Sokoli është dashur të paraqitet para komisionit vlerësues mjekësor, që e cakton Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Komisionet e tilla mblidhen në shtatë rajone të Kosovës.

Milaimi thotë se, gjatë kësaj kohe, i është dashur të udhëtojë për në Prishtinë bashkë me djalin së paku tri herë, ndërsa vetë edhe më shpesh.

“Njëqind e njëzet euro është dashur t’i gjej diku se nuk kam pasur, për të shkuar në komision... se 40 euro kushton taksi [nga Drenasi në Prishtinë]”, tregon ai.

Këto procedura, sipas tij, janë të tepërta, sidomos kur kihet parasysh “gjendja e rëndë shëndetësore e djalit” dhe “kushtet e rënda ekonomike” në të cilat jeton.

“Shkon në komision... ‘jo, nuk e ke këtë; jo, duhet edhe një dokument’. Maltretimi i tyre po kushton. Një udhëtim i tillë, atë [djalin] e dobëson”, thotë Milaimi, baba i vetëm i dy fëmijëve binjakë.

Si shoqërues i Sokolit, ai nuk punon.

Me zërin që i dridhet, tregon se i duhet të gjejë forcë të kujdeset për fëmijët, edhe pse, siç thotë, ka kaluar shumë tragjedi familjare.

Fëmija i parë që Milaimi dhe bashkëshortja e tij kishin pasur në vitin 1995, vdiq më 2010, pasi vuante po ashtu nga distrofia muskulare.

Më 2019, Milaimit i vdiq edhe bashkëshortja nga sulmi në tru.

“Krejt Kosovës i jap pasuri vetëm të ecë ai [djali]. Nuk do të doja asnjë pension dhe do të kisha punuar vetë”, thotë Milaimi.

Ministria: Pritjet jo më të gjata se një muaj

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, thotë se “qëndron mjaft mirë në kuptim të respektimit të afateve ligjore”.
“Natyrisht që këto lëndë [të rivlerësimit të gjendjes së pacientit] i trajtojmë edhe para afatit të skadimit të së drejtës, por mund të ketë edhe raste që mund të presin, por jo më gjatë se një muaj”, thonë nga Ministria.

Sipas tyre, seancat e vlerësimit të personave me aftësi të kufizuara nuk mund të bëhen në terren, pasi ka “probleme me mungesën e mjekëve”.

Në Prishtinë, qasja e personave me karrocë në Qendrën për Pensione, që ndodhet në qendër të qytetit, është e pamundur, për shkak të infrastrukturës që ka.

Kështu, komisionet vlerësuese i mbajnë seancat e rivlerësimit në një hapësirë të improvizuar nga shoqata “Handikos”, në periferi të kryeqytetit.

Radio Evropa e Lirë ka vizituar këtë hapësirë më 29 shtator të këtij viti, kur ka parë dhjetëra persona duke pritur për të dalë para komisionit vlerësues.

“S’e di se si ia kemi dalë... faqja e zezë”

Për disa muaj këtë vit, pa pension invalidor ka mbetur edhe Sami Qyqalla nga Fushë Kosova - rreth 7 kilometra larg Prishtinës.

Tani 57-vjeçar, Qyqalla është përdorues i karrocës tash e 30 vjet. Për të kujdeset bashkëshortja e tij, Nazire Qyqalla.“Vështirë është boll”, thotë shkurt Samiu, i cili i takon kategorisë së parë të invaliditetit.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, bashkëshortja e tij thotë se procedura e rivlerësimit të gjendjes së Samiut, u ka shkaktuar telashe e borxhe.

“Pesë muaj na kanë lënë pa pension. Kur kanë ardhur këta të rrymës, ma kanë ndalur rrymën…Tmerr”, thotë Nazirja, e cila nuk ka pasur mundësi ta shlyejë borxhin.
Dy djemtë e tyre, 20 dhe 21 vjeç, Nazirja thotë se nuk kanë punë të rregullt.

“Është dashur të paguaj taksi tri herë nga 20 euro [gjatë procedurave të rivlerësimit të gjendjes së Samiut”.

“S’e di se si ia kemi dalë... faqja e zezë”, shprehet Nazirja.

Handikos: Të hiqet nevoja për rivlerësim

Afrim Maliqi, udhëheqës i organizatës “Handikos”, që merret me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, thotë se i gjithë procesi i rivlerësimit për personat që marrin mbështetje financiare si paraplegjikë ose tetraplegjikë, është i panevojshëm.

“Nuk duhet të ketë rivlerësim. Rivlerësim duhet të ketë vetëm nëse i përkeqësohet gjendja personit”, thotë ai.

Sipas tij, gjasat që dikush nga këto kategori e njerëzve të ketë përmirësim në shëndet, janë të vogla.

Maliqi, i cili vetë ka aftësi të kufizuara, thotë se ka dëgjuar shumë ankesa për “procedura të mundimshme” për personat që i nënshtrohen rivlerësimit të gjendjes.“Duhet të ketë edhe komisione mobile që u shkojnë personave nëpër shtëpi dhe i vlerësojnë, pa i maltretuar”, thotë ai, por shton se zëri i tyre e ka të vështirë të depërtojë.

“Ne jemi grup i rrezikuar, grup fragjil, që nuk mund të bëjmë më shumë... Ne nuk kemi mundësi proteste, sepse njerëzit kanë problem të dalin në rrugë”, thotë Maliqi, duke aluduar në infrastrukturën e papërshtatshme për qarkullimin me karroca.Për ekspertin ligjor nga Prishtina, Leotrim Gashi, rregulloret për pensionet e personave me aftësi të kufizuara, është dashur të bëhen në atë mënyrë që nuk ua vështirësojnë jetën qytetarëve.

“Me vetë faktin që kemi të bëjmë me persona që kanë sëmundje të rënda, që nuk mund as të lëvizin e lëre më të udhëtojnë... ky do të duhej të ishte fokusi i zyrtarëve të ministrisë përkatëse”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Gashi, në vitin 2021, ka qenë autor i një hulumtimi të publikuar nga Instituti Kosovar për Drejtësi,që flet për shkelje ligjore karshi personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

“Nëse pavarësisht të gjitha vështirësive [që kanë personat me aftësi të kufizuara], ka edhe mosvlerësim adekuat [të gjendjes së tyre], atëherë kjo e bën edhe më të vështirë jetesën normale të këtyre qytetarëve”, thotë Gashi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në Kosovë, aktualisht janë 2.575 përfitues të pensionit në bazë të Ligjit për paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Megjithatë, nuk është e qartë se sa përfitues janë në grupin e parë e sa në të dytin.

Si Sokoli, ashtu edhe Samiu kanë nisur t’i rimarrin pensionet këtë muaj, ndërsa muajt e humbur do t’iu kthehen në mënyrë retroaktive. Megjithatë, ata nuk i garanton asgjë se nuk do të kalojnë nëpër procedurat e njëjta kur t’iu vijë sërish koha e rivlerësimit të gjendjes.

Më poshtë mund të lexoni pjesën e parë të serisë së shkrimeve të REL-it për vështirësitë me të cilat përballen personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat