Familja Kuçi nga Lutogllava e Pejës kërkon ndihmën e qytetarëve për trajtimin e djalit që e kanë të sëmurë. Blearti gjashtë vjeç duhet të trajtohet jashtë vendit, e mjetet kjo familje nuk i ka.
6-vjeçari Bleart Kuçi nga Lutogllava e Pejës sivjet është dashur të ulet në bankat e klasës së parë, por, për fat të keq, për shkak të sëmundjes që ka ai nuk komunikon e as nuk ecën dot. Prindërit e Bleartit, që të dy të papunë, shprehën shumë të shqetësuar për fatin e djalit të tyre i cili është diagnostifikuar me një sëmundje të rëndë, ndërkaq që për trajtimin e tij jashtë vendit kërkohet një shumë e konsiderueshme e mjeteve financiare.
Nëna e Bleratit, Lendita, thotë se deri më tash janë mbledhur gjysma e mjeteve të nevojshme.
“I kam tre fëmijë, një vajzë e dy djem. Blearti është fëmija i dytë. Ai e ka një sëmundje të rëndë. Djali i ka bë 6 vjet në gusht dhe kemi pasur shpresa se në muajin shtator do të nisë klasën e parë. Derisa djali është në moshë të vogël po kemi shpresa se ka shërim.
E kemi arritur shumën gati 18 mijë euro, prandaj unë si nëna e Bleartit lus të gjithë vëllezërit e motrat shqiptare kudo që janë e sado që kanë mundësi të na ndihmojnë edhe për shumën e mbetur”, ka thënë Lendita Kuçi.
Ajo falënderon të gjithë ata që kontribuuan deri më tash dhe shpreson se do të plotësohet shuma e paraparë për mjekim dhe dëshira prej nëne për ta parë në këmbë djalin e saj.
Të gjithë bamirësit familjen Kuçi nga Lutogllava e Pejës mund ta kontaktojnë nëpërmjet numrit 048 301 087.