“M’u duk sikur më ra tavani”: Rrëfimi i Arbelës për kancerin në gji

Sociale

“M’u duk sikur më ra tavani”: Rrëfimi i Arbelës për kancerin në gji

Më: 22 tetor 2023 Në ora: 10:43
Arbela Statovci ishte vetëm 33 vjeçe kur u diagnostikua me kancer në gji.

Ishte 33 vjeçe kur u diagnostikua me kancer në gji dhe iu duk sikur iu shemb bota.

Ishte gushti i vitit 2021, kur Arbela Statovci e mori lajmin në një spital në Bern të Zvicrës.

“M’u duk sikur më ra tavani kur e kuptova”, thotë sot mbijetuesja e sëmundjes.

E lindur në Kosovë, ajo dhe familja e saj emigruan në Zvicër në vitin 1992.

Radio Evropa e Lirë bisedoi me të në Prishtinë, ku ishte për vizitë gjatë muajit rozë.

Kështu quhet tetori në të gjithë botën dhe është muaji kur veçanërisht bëhen përpjekje dhe aktivitete për të rritur vetëdijesmin për kancerin në gji.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 2 milionë gra në të gjithë botën diagnostikohen çdo vit me kancer në gji.

“Nuk e dija se çfarë ishte”

Para diagnostikimit, Arbela tregon se ishte për vizitë në Prishtinë, por se u kthye në Bern pa i përfunduar pushimet, pasi po e prisnin disa projekte.

Ajo studioi për komunikim masiv, ndërsa studimet në master i përfundoi në fushën e ekonomisë.

“Në dhomën e fjetjes nuk e marr kurrë kompjuterin me vete. Por, kisha shumë punë në një projekt. Punova, punova... dhe pasi e përfundova, isha e lodhur... dhe ashtu si isha, doja të flija. Duke i hequr sutienat, me dorë të majtë, rastësisht preka gjirin e majtë dhe preka diçka të fortë. Nuk e dija se çfarë ishte”.

“Thashë me vete: unë jam vetëm 33 vjeçe dhe nuk mund të kem kancer. Në mendje e kisha se vetëm pas moshës 50 vjeçe mund të dyshosh për një sëmundje të tillë”, thotë Arbela.

Teksa vazhdon rrëfimin, kujton se atë natë ishte fundjavë dhe të vetmen gjë që mund ta bënte, është të futej në internet dhe të lexonte.

“Kujt t’i shkruaj, kë ta pyes... flisja me vete. E thirra mjekun e shtëpisë dhe më tha se janë shpeshtuar shumë rastet me kancer, por nuk janë të rrezikshme”, tregon Arbela, duke shtuar se kjo i dha një fije shprese.

Por, me të përfunduar fundjava e atij gushti, ajo nisi kontrollet te mjekët e specializuar për kancer në gji. Dhe përgjigjen e mori brenda katër ditësh.

“Kur ma tregoi mjeku rezultatin e biopsisë, sikur më ra tavani. Kisha pritur gjithçka, por kurrë të më binte kanceri”.’

Makthi i Arbelës nuk përfundoi me kaq. Si t’i tregonte tani familjes?

“Ishte shumë e rëndë për ta, por...”, shpërthen në vaj dhe nuk arrin ta përfundojë fjalinë.

“Do të luftoj për të jetuar"

Teksa e merr veten, tregon se nuk kishte humbur asnjë ditë kohë dhe kishte nisur trajtimin.

Por, rrugëtimi që nisi, “ishte i vështirë dhe i tmerrshëm”.

“Kimioterapia ma ka çuar trupin në zero. Koka më thoshte ngrihu, ngrihu, por unë nuk arrija as gishtat t’i lëvizja”.

“Aty jam trishtuar”, thotë Arbela.

Dhjetë ditë nuk ia doli të ngrihej nga shtrati pas kimioterapisë së parë. Pastaj, erdhi kimioterapia e dytë, e tretë...

Me ndryshime fizike dhe dhimbje herë-herë mezi të përballueshme, Arbela thotë se i foli vetes:

“Të premten merr kimioterapinë, të martën nis punon. Dhe ashtu ndodhi”.

“I thashë vetes se do të luftoj dhe se nuk do të mbes kështu. Do të luftoj për të jetuar”.

Iu deshën nëntë muaj trajtim, terapi, injeksione, ditë të lodhura e net pa gjumë për të marrë lajmin që sërish ia ndryshoi botën - por kësaj radhe ndryshe.

“Tani ndihem shumë mirë”, thotë 35-vjeçarja.

“Shërimin e ke nga mjekët, por pjesën e madhe e bën edhe vetë. Trupi është i programuar për t’i mbijetuar edhe këto faza. Vetëm duhet të zbulosh se çfarë është ajo që të motivon. Për mua, aktivizim i qelizave të shërimit ka qenë puna”, thotë Arbela, tani e buzëqeshur.

Veten e përshkruan si të pandalshme dhe tregon se, aktualisht, është duke ndjekur edhe një specializim në fushën e financave.

Përveç studimeve dhe punës, angazhohet edhe në fushata për ndërgjegjësimin e grave për kancerin në gji. Ky ishte edhe qëllimi i qëndrimit të saj disaditësh në Prishtinë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri i gjirit është tani forma më e zakonshme e kancerit.

Sëmundja godet kryesisht gratë, por nuk përjashtohen as burrat.

Sipas drejtorit të Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi, në Kosovë janë regjistruar 332 raste të reja me kancer në gji nga fillimi i këtij viti deri në fund të shtatorit.

Ai thotë se, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje për 10 për qind të rasteve.

Diagnostikimi i hershëm konsiderohet thelbësor për parandalimin e zhvillimit të kancerit të gjirit.

Edhe pse e ka mundur sëmundjen, Arbela thotë se nuk i lë pas dore kontrollet e vazhdueshme mjekësore./REL

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat