“Kur fle, lutem të mos zgjohem më”, 90-vjeçarja që jeton mes vetmisë dhe mjerimit

Sociale

“Kur fle, lutem të mos zgjohem më”, 90-vjeçarja që jeton mes vetmisë dhe mjerimit

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 10:57
Drita Cenolli

E moshuara që shihni në foton e mësipërme është 90-vjeçarja Drita Cenolli nga fshati Mborje i Korçës.

Ajo jeton e vetme mes skamjes dhe mjerimit në banesën e saj, ku i mungon ushqimi bazë dhe ngrohja në këto ditë të ftohta.

Në kasollen e saj gjenden vetëm disa mollë të dhuruara dhe një sasi e vogël drush që mund t’i shërbej për ngrohje vetëm për disa ditë.

Gazetari i Euronews Albania zhvilloi një bisedë me të moshuarën, e cila mes dhimbjes tha se situata e vështirë e bën që të lutet që kur fle të mos zgjohet më.

Pjesë nga biseda:

Drita, Mirëmëngjes

-Mirëmëngjes për ty o bir, se unë e kam ditë tersi.

Pse Nënë Drita?

-Unë kur shtrihem fle, uroj mos zgjohem o bir. Të më marrë ai lart sa më parë

Nëna sot do të të ndihmoj unë me bidonat. Mi ler mua.

-Të keqen nëna, bëfsh hajër.

Ushqim nuk ke fare sot?

-Kam si jo, kam këto mollët.

Vetëm mollët?

-Epo njeriu nuk do hajë përditë, më dalin mua mollët po he. Kur marr Kempin, marr kulaçka.

Nëna, po mish? Makarona?

-Ku ti gatuaj, këtu në kasolle? Më bëjnë krahët mua?

Nëna, po dru për t’u ngrohur ke?

-Kam, e 14 dru. Një dru në darkë ndez. E 14 ditë kam. Vetëm një dru në darkë ndez, se është lartë Mborja, bën ftohtë këtu ku jam unë.

Nëna, po lekë?

-Vetëm kempin marr. Me sjellin e dy vëllezërit ushqime. Po me vjen zor, nuk ua marr. Kam unë u them, kam.

Nëna, po ti s’ke as drita këtu.

-Çi do dritat Drita o t’u bëftë nëna? Ja hap derën, e hyn drita e diellit.

Nëna, do iki, por do vij prap. Çfarë të të sjell?

-Të keqen nëna, më merr një amitë se më ka vajtur mendja. Kam një vit pa pirë amitë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat