Erjona është vetëm 19 vjeçe dhe ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” babain e saj, Maliqin.
Sipas shpjegimit të saj, i ati e ka martuar që 16 vjeçe dhe sot ajo është ndarë.
I ati nuk e pranon më në shtëpi sepse thotë se njeh vetëm kanunin e Lekë Dukagjinit, një deklaratë që lë gojëhapur publikun e programit “E Diela Shqiptare” .
Erjona: Kam qenë e martuar që 16 vjeçe, kam ndenjur 3 vjet me burrë dhe pas asaj unë jam ndarë se më torturonte shumë.
Maliq: Po unë çfarë halli kam unë që më ke thirrur? Unë jam babi.
Erjona: Unë të kam thirrur se ti më ke ndarë.
Maliq: Të ka ndarë babi se të kam bërë tamam.
Erjona: Po pse më ke ndarë? Unë burrë nuk kam, djalë s’kam. Unë s’kam ku të dal, ti më ke lënë mes katër rrugëve.
Maliq: Sipas kanunit tim që kam, unë të kam ndarë ty. Ti je në punën tënde e unë në punën time. Nuk të kam veç ty.
Erjona: Më ke lënë në katër rrugët e dynjasë.
Maliq: Po kam edhe 9 kalamaj të tjerë moj bijë. Jam 60 e ca vjeç, unë s’jam në punë, s’kam pension.
Erjona: Mua s’më ke kalama ti?
Maliq: Të kam kalama po unë ju kam dhënë të drejtën secilit te burri i vet, te fëmija i vet.
Erjona: Po burri pra, më ka ndarë ai. Burri më ka ndarë, ku do rri unë?
Eni Çobani: Zoti Maliq, në ç’moshë e ke martuar ëktë vajzën pa lëri këto sa fëmijë ke ti?
Maliq: Sipas kanunit të Lekë Dukagjinit, vajzën e kam martuar 16 vjeçe.
Eni Çobani i tregon Maliqit certifikatën e gjendjes civile të vajzës së tij ku ajo figuron vetëm me djalin dhe pa një bashkëshort.
“Inteligjenca e ka fajin”, babai: Ligji bëhet pluhur e ndryshk, kanuni është i pastër
Maliqi është i palëkundur nga mendimi i tij se veprimet që ka kryer ndaj së bijës, Erjonës që e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq”, kanë qenë në përputhje me kanunin e Lekë Dukagjinit. Erjona e akuzon të atin se e ka martuar me mblesëri kur ishte vetëm 16 vjeçe dhe sot që është 19, ish-burri e ka nxjerrë jashtë.
Në gjendjen civile, Erjona figuron vetëm me djalin e saj ndërsa mësohet se ajo që Maliqi e quan martesë, është në fakt një bashkëjetesë. Maliqi nuk pranon që Erjona të kthehet në shtëpi dhe vajza ka mbetur në rrugë. Ai nuk pranon asnjë argument nga moderatori Ardit Gjebrea apo ndërmjetësja Eni Çobani dhe fajëson “inteligjencën”.
Ardit Gjebrea: Ai zotëria, ecën edhe ai me kanunin e Lekë Dukagjinit apo me ligjet e këtij shteti?
Maliq: Nuk ia di mendjen atij unë.
Ardit Gjebrea: Nuk ia di mendjen? Po sepse ti kur e çon vajzën në një shtëpi duhet ta çosh në një shtëpi që përputhet me ligjet e tua, me kanunet e tua sepse ka një gjë: ti me mendjen tënde e ke martuar gocën tënde, ai me mendjen e vet s’është i martuar me gocën tënde.
Maliq: Ah, inteligjenca juaj e ka bërë të kalojë në atë gjendje! Ligji pluhur në sirtarët tuaj bëhet pluhur e ndryshk, pastaj populli ç’do bëjë? Kurse kanuni i Lekë Dukagjinit është shumë i pastër dhe lexohet shumë mirë.
Ardit Gjebrea: E ke lexuar ti por s’e ka lexuar ai.
Eni Çobani: Lëre kanunin tani këtu. Ti me kanun, po të ishe me kanun zotëri, ja po ta shpjegoj unë, vajza jote nuk do ishte këtu. Vajza jote do ishte te shtëpia e burrit. Këtu jo vetëm kanun nuk ka, por këtu e keni shkelur me këmbë kanunin, moralin e të gjitha dhe vajza është kthyer në shtëpi pa fëmijë. Çfarë thotë kanuni zotëri në qoftë se zonja kthehet pa fëmijë? Ma thuaj tani! Ma thuaj se je malësor ti, unë jam gjysmë malësore si ty, ma thuaj! Vajza dhe gruaja kthehet te babai vetëm në qoftë se kapet në flagrancë dhe vjedh në shtëpinë e burrit. Në qoftë se vajza jote është kapur në flagrancë apo vjedh në shtëpinë e burrit, ai ta ka marrë dhe ta ka sjellë në shtëpi. Tani më thuaj, kjo vajza ka vjedhur?
Maliq: Jo.
Eni Çobani: Ka tradhtuar?
Maliq: Jo.
Eni Çobani: Atëherë kanuni ku është?
Maliq: Inteligjenca i ka nxjerrë brezat jashtë rregullave.
Maliqi i bën kërkesën e çuditshme Eni Çobanit: Hiq ligjet e Edi Ramës e Sali Berishës!
I bindur se zgjidhja e situatës së vajzës së tij gjendet në kanunin e Lekë Dukagjinit, Maliqi nuk pranon asnjë arsyetim ligjor. Ai nuk e pranon në shtëpi të bijën, Erjonën e cila e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” sepse “e ka ndarë me kanun”.
Ndërmjetësja e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani, i kërkon që ta lërë dhe t’i nënshtrohet ligjit. Maliqi e konsideron ligjin “me pluhur e ndryshk” si dhe fajëson figurat politike për të, madje ka një kërkesë për ndërmjetësen.
Eni Çobani: Zoti Maliq, do më lësh mua ta shpjegoj me ligj apo do vazhdosh ti ta shpjegosh me kanun?
Maliq: Në qoftë se ti e pastron ligjin, hiqi ato pluhurat e ligjit…
Eni Çobani: Kush janë pluhurat e ligjit?
Maliq: Ligjin e ke me pluhur, me ndryshk. Shkunde mirë, pastroje mirë ligjin dhe jam karshi teje.
Eni Çobani: Po çfarë kërkon ti me këtë shkundjen, çfarë mund të bësh?
Maliq: Hiqi ligjet e Edi Ramës e të Sali Berishës.
Ardit Gjebrea: Atëherë unë them ta lëmë ligjin në dorën e Maliqit.
Eni Çobani: Po e lamë ashtu do shkojmë te kanuni pastaj, ne s’jemi për kanunin.
Ardit Gjebrea: Atëherë si pastrohet ligji? Çfarë duhet t’i pastrojmë ne ligjit? Cili është pluhuri që duhet t’i pastrojmë ne ligjit?
Eni Çobani: Siç e kupton Maliqi do të thotë që ne të pastrojmë ato pjesë për të nxjerrë kanunin dhe të shkojmë te kanuni, por ne kanunin ia kemi lënë historisë. Ne sot jemi me ligjin, me Kushtetutën dhe me këtë do mbrohet vajza jote që ka ardhur sot këtu! Lërjani kanunin historisë!
Maliq: Merre çoje ku të duash, unë me kanunin e Lekë Dukagjinit s’kam ku e çoj më.
“Ti duhet të dënohesh që marton vajzën 16 vjeç!”/Çobani ia ‘përplas’ në fytyrë Maliqit, ai i zgjat duart
Pjesa e dytë e “Shihemi në Gjyq” ka nisur me një debat të fortë mes Eni Çobanit dhe Maliqit. Ndërsa ky i fundit ngul këmbë në kanunin e Lekë Dukagjinit dhe thotë se nuk njeh ligjin, ndërmjetësja e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan nuk ia kursen disa deklarata. Çobani i thotë se një baba që marton vajzën 16 vjeçe duhet të dënohet ligjërisht.
Eni Çobani: Populli do ligjin dhe Kushtetutën zotëri dhe ne do ta zbatojmë deri në fund Kushtetutën! Por që ta kuptosh ligjin ti do bëjmë ca ndryshime ne në ligj që baballarë dhe nëna si ti që martojnë vajzën 16 vjeç duhet t’i dënojë ligji o zotëri! Ti duhet të dënohesh për kundravajtje penale që marton vajzën 16 vjeç!
Maliq: Ja urdhëro! (I zgjat duart e kryqëzuara) Po kam kanunin unë!
Eni Çobani: Tani ulu atje dhe vazhdo voto për ligjin! Jo për kanunin se kanunin nuk duhet ta lexosh më! O zotëri po ti je babai ore! E di ç’do do të thotë baba? Babai është heroi i një vajze! Unë në moshën e vajzës tënde mendoja ku do shkollohesha, kurse ti e ke lënë vajzën me fëmijë 1 vjeç e 5 muaj! E kupton kush je ti apo jo? Vajza jote duhet të ishte në shkollë!
Maliq: Unë kam kanunin e Lekë Dukagjinit.
Eni Çobani: Vajza jote dhe vajzat e shqiptarëve duhet të jenë në shkollë 19 vjeç, zotëri, jo të bëhen gra! 19 vjeç është mosha e ëndrrave të mëdha se çfarë do bëhesh në jetë, ti e ke futur dhe e ke çuar në një fshat të Burrelit dhe ngre zërin para nesh!
Maliq: Ku janë vajzat e reja sot?
Eni Çobani: Janë në shkollë duke u shkolluar. Vajzat tuaja, vajzat e baballarëve si ty janë këtu me mua që kërkojnë fëmijët se ua ka mbajtur ai djali atje!
“Lindi djalin dhe e braktisi”, Erjona zë kokën me duar nga akuzat e vjehrrit
Erjona ka përfunduar në mes të katër rrugëve. Babai e martoi në moshën 16-vjeçare me shkuesi në një fshat të Burrelit, solli në jetë një fëmijë dhe në moshën 19-vjeçare është ndarë. Babai, Maliqi, të cilin e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” nuk e pranon më në shtëpi sepse thotë që ndjek kanunin.
Ndërkohë Erjona nuk e sheh djalin e saj 1-vjeçar prej muajsh. Gjatë rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, mundësohet një lidhje direkte me ish-vjehrrin e saj, Avniun që akuzon Erjonën se ka qenë ajo që e ka lënë të voglin.
Avni: Unë prej 2 vjetësh kam kaluar jetë me ta. Se kush është Erjona Kastrati mund ta njihni vetë. Lindi një çun dhe prej 2 vjetësh e braktisi fëmijën dhe u largua nga fëmija.
Eni Çobani: Po si e braktisi fëmijën?
Maliq: Nuk e braktisi fëmijën zotëri!
E shokuar, Erjona zë kokën me duar.
Avni: E la në shtëpi.
Eni Çobani: Për ç’arsye? Erjona po të dëgjon, e ke prezent!
Maliq: Dua ta kem përballë!
Eni Çobani: Do ta sjellim edhe Avniun.
Avni: E ke ekzakt, unë nuk dal në derë për atë punë, e ke ekzakt. Iku në shtëpi,e dërgova në shtëpi.
Eni Çobani: Po si e dërgove, e shoqërove ti në shtëpi apo si?
Avni: Unë e kam shoqëruar.
Eni Çobani: E ke dorëzuar.
Avni: I kam dhënë certifikatën dhe u nisa për shtëpi. Fëmijën e kam në gjendje civile.
Erjona dënes nga deklarata e vjehrrit, Çobani: Dorëzoji djalin, s’të takon ta mbash!
Pas akuzave ndaj Erjonës se është ajo që e ka sjellë në jetë djalin dhe e ka lënë në moshën 1-vjeçare, ish-vjehrri i saj, Avniu që ndodhet në lidhje telefonike me rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, e konsideron edhe të paaftë për t’u kujdesur për fëmijën.
Ndërsa Eni Çobani e pyet se çfarë ka që nuk shkon me Erjonën, dëgjohet një ndërprerje e vogël dhe ai vazhdon bisedën me dikë. Menjëherë Erjona ngrihet në këmbë dhe thotë se “po e mëson vjehrra” e më pas dëgjohet Avniu që thotë se nusja është e sëmurë me epilepsi. Kjo e bën Erjonën të shpërthejë në lot.
Gjatë telefonatës, Avniu pranoi se djali i tij, Lorenci që është babai i fëmijës nuk ndodhet në Shqipëri dhe djali po qëndron me gjyshërit, gjë që përbën kundravajtje penale.
Avni: Na epikrizën se e kam në kamera.
Eni Çobani: O zotëri të lutem! Epilepsia nuk është sëmundje mendore o zotëri! Me kë po flet ti? Mua më vjen shumë keq që një zotëri që ka ngrënë bukë me nusen e djalit dhe i ka bërë një djalë thotë publikisht që nusja është e sëmurë! Është shumë e rëndë dhe t’ju vijë zor nga vetja që flisni për vajzat në këtë formë! T’ju vijë zor nga vetja! Kaq po them! Këto gjëra nuk i vendos ti Avni! Nuk i vendos ti se kush është i sëmurë në Republikën e Shqipërisë! E vendos gjykata, e vendos mjekësia! Hap një gjyq! Më vjen shumë keq! Këtë fjalë nga ty nuk e prisja! Kaq po ju them!
Avni: Dëgjo se kanë për të dalë fjalët e mia!
Eni Çobani: Se kur do të dalin fjalët e tua e vendos gjykata! Po të them edhe njëherë, dorëzoji djalin Erjona Kastratit! Zotëri, djalin e ke në Greqi, e ke thënë publikisht! Ty nuk të takon me ligj të mbash nipin se nëna është gjallë dhe është këtu! Dorëzoji djalin Erjona Kastratit! Po i bëj thirrje qytetit ku jeton, drejtorit të policisë, prokurorisë së qytetit tënd, po të them Avni, jepini fëmijën Erjona Kastratit!
Avni: Fëmija do të dorëzohet me vendim gjykate!
Eni Çobani: Jo zotëri, nuk e vendos ti vendimin e gjykatës! Ti do dorëzosh fëmijën dhe hap gjyq po qe!
Martesa nën 16 vjeç, Çobani: Gjëja më e rëndë që po përjeton shoqëria shqiptare! Alarm kombëtar!
Në fund të seancës së “Shihemi në Gjyq”, Maliqi vazhdon t’i qëndrojë besimit të tij te kanuni për mos ta pranuar Erjonën në shtëpi. 19-vjeçarja u përball me të atin në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për martesën me mblesëri të kryer kur ajo ishte 16 vjeçe. Prej kësaj bashkëjetese sepse Erjona nuk ka celebrim, ka ardhur në jetë një djalë.
Bashkëjetuesi e ka nxjerrë nga shtëpia dhe djali i cili është ende i vogël, qëndron me gjyshërit që po e mbajnë pa të drejtë. Gjatë telefonatës në studio, vjehrri i Erjonës e akuzoi se ka qenë ajo që është larguar nga shtëpia si dhe e konsideroi të sëmurë.
Për gjithë këtë situatë, Eni Çobani pati një premtim ndaj Erjonës që ajo të ribashkohet me të birin ndërsa pati edhe një thirrje të fortë për shqiptarët.
Eni Çobani: Erjona e dashur, unë nuk të lë. Unë do ta çoj deri ën fund që ty të të jepet një ambient dinjitoz për të arritur për të marrë fëmijën tënd, për t’u puënsuar dhe për të pasur një jetë të lumtur krah djalit tënd. Këtë nuk e bën Eni Çobani pa ndihmën dhe mbështetjen e shqiptarëve prandaj i drejtohem kryetarit të bashkisë, me Erjona Kastratin do doja një zgjidhje të tillë sa më shpejt dhe Avni Hetaj, më dëgjo dhe njëherë, dorëzoji djalin 1 vjeç e 5 muaj nënës dhe më pas hap procese gjyqësore sa të duash dhe nëse ta jep gjykata, do të të shtrëngoj dorën, ta marrësh dhe prapë do t’i lejosh nënës për takimet e veta dhe me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që ka.
Përndryshe zotëri ju do vazhdoni të ndiqeni penalisht nga ligji, por edhe njëherë, duhet të bëjmë një ligj të thelluar për baballarët që lejojnë fëmijët në moshë 16, 15 dhe 14 që të martohen. Është gjëja më e rëndë që po përjeton shoqëria shqiptare dhe kjo kërkon një ngritje kombëtare. Është alarm kombëtar që këto vajza të mos vijnë këtu, por këto vajza të shkollohen, djemtë të shkollohen, të marrin arsimin e duhur dhe t’i tregojnë prindërve që janë të zotë për veten.