​Rriten çmimet, rëndohet jeta e familjeve me të ardhura me pagë minimale dhe sociale

Sociale

​Rriten çmimet, rëndohet jeta e familjeve me të ardhura me pagë minimale dhe sociale

Më: 2 mars 2024 Në ora: 10:31
Bajram Musliu

Jeta është bërë ende më e vështirë për të mbijetuar për familjet në vendin tonë me të ardhur nga kategoritë sociale dhe me një pagë minimale, për shkak të rritjes së çmimeve për produktet bazike. Familjet me të ardhura minimale, dhe ato me të ardhura sociale nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet mujore për konsum. Madje, shpesh herë detyrohen të futen edhe në borxhe, vetëm të sigurojnë ushqim për familjarët.

Kështu, rrëfen qytetari, Bajram Musliu i cili jeton me gruan dhe katër fëmijët e tij, për çfarë thotë se e ka të pamundur që me 250 euro në muaj të ia dalë që t’i ushqejë dhe mbulojë shpenzimet për anëtarët e familjes. Paga minimale aktualisht në Kosovë për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeçare është ende 170 euro. Të punësuarit e moshës nën 35 vjet do të marrin pagën minimale në vlerë prej 130 euro.

Musliu derisa kërkon nga qeveria që të rrisë pagën minimale dhe të ardhurat për kategori sociale thekson se nga çmimet e larta që vazhdimisht janë në rritje, rrallë ja dalin të ushqehen me produkte të shëndetshme.

48-vjeçari nga Prishtina, i cili nuk është në gjendje të mirë shëndetësore të punojë, dhe gjitha të ardhurat i siguron nga një pension invalidor dhe social, derisa ankohet për çmimet e larta, konsideron se shteti duhet t’i rrisë këto ndihma. Ai shton se gjitha paratë po ju shkojnë në barna, dhe siç shton ai e ka të vështirë të blejë produkte të shëndetshme për fëmijët.

Musliu: Çmimet po rriten çdo ditë, nuk po mundemi të ja dalim, qeveria t’i rrisë këto ndihma

“Çdo personi i kisha kërkuar nëse mund të na ndihmojnë se jam në kushte të vështira, i kam katër fëmijë, dhe gruan, pra vet i gjashti jam. Nuk po mundemi me ja dalë me një social dhe një pension invalidor, e kemi të vështirë. Unë në shtatë muaj a më bie një copë mish, veç çka njerëzit ma sjellin. Edhe fëmija po mbesin të uritur...03:13Çmimet po rriten çdo ditë, dhe me këto nuk po mundemi të ja dalim, hyj borxh të një komshinj ka 100 euro dhe në muaj duhet të ja kthej...03:57 Kërkesa ime është të na ndihmojnë me ushqim ...04:15 Nëse e bëjnë rritjen (e çmimeve) të ushqimit, atëherë le t’i rrisin pensionet, nëse nuk mund ta zbresin ushqimin, t’i rrisin pensionet. Së paku 200 euro me marrë unë një pension, dhe është pikëpyetje nëse mund të ja dalë...(duke blerë) gjitha për barna po shkojnë...Dytë jemi të sëmurë (edhe gruaja)”, rrëfen Musliu.

Në pamundësi të sigurojë ushqim për fëmijët, Musliu tregon një rast kur i është sëmurë vajza si shkak i urisë, derisa shton, se e njëjta nuk kishte mundësi të vazhdojë mësimin.

Musliu: Vajza e vogël shpeshherë nuk mund të vijojë mësimin për shkak të urisë

“Çika e vogël në klasë të katërt, një ditë ka shkuar mësuesja e saj, e ka sjellë tek shtëpia duke qajtur prej dhimbjes së barkut, pa hëngër e pa pirë. Mësuesja ja ka dhënë 150 euro ndihma”, tregon ai.

Se shteti duhet të ndërmarrë veprime konkrete për t’i dalë në ndihmë qytetarëve krahas inflacionit, e thonë edhe njohës të ekonomisë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna konsideron se institucionet e vendit duhet të ndërmarrin masa efikase në mënyrë që t’ua lehtësojnë barrën qytetarëve karshi luftimit të inflacionit tek produktet e konsumit.

Rafuna duke folur për çmimet e larta, thotë se një shportë me ushqime për familjen e cila është blerë 500 euro në vitin e kaluar, këtë vit nuk mund të blihet me 700 euro.

Rafuna: Një shportë për familjen e cila është blerë 500 euro për vitin e kaluar, këtë vit nuk mund ta blesh me 700 euro

“Ne kemi bërë thirrje ndaj institucioneve të vendit që të ndermirën masa në mënyrë që qytetarët të ju lehtësohet sa më shumë jeta në kuptimin e luftimit, kur e kishim inflacionin, por edhe tani, për shkak se vlera e parasë ka humb, nuk është vlera e njëjtë. Një shportë për familjen e cila është blerë 500 euro për vitin e kaluar, këtë vit nuk mund ta blesh me 700 euro. Kështu, qeveria duhet të ndërmarrë masa që qytetarëve me ua rritë vlerën e parasë nëpërmjet rritjes së pagave, por edhe nëpërmjet masave tjera që sjell deri në një nivel”, thotë Rafuna.

Se qeveria duhet të rrisë pagat krahas çmimeve të larta, e thotë edhe njohësi ekonomik, Mustafë Kadriaj. Sipas tij, qeveria po ashtu duhet të krijojë reforma sa i përket të hyrave tek bizneset, në këtë drejtim siç tha ai, institucionet përgjegjëse duhet të fokusohen tek pjesa e doganës.

Kadriaj: Shteti duhet të fokusohet tek pjesa e doganave, të krijojë një lehtësim tek bizneset

“Shtrenjtimi i çmimeve të konsumit, vlerësoj se është si rezultat që bizneset në kohën e dimrit, sidomos në tre muajt e parë të vitit, gjithmonë kanë një krizë tek pjesa e shitjes, sepse bie shitja, dhe në këtë rast për të qëndruar në treg dhe konkurrencë tentojnë që t’i rrisin çmimet, dhe ën fakt kjo rendon jetën e qytetarëve. Shteti duhet të fokusohet tek pjesa e doganave, që në fakt të krijojë një lehtësim tek bizneset, te të hyrat për faktin se nëse të hyrat e produkteve do të kenë një çmim më të ultë, rrjedhimit do të dalin me një çmim më të përshtatshëm tek çmimi final”, thotë Kadriaj.

Në raportin e fundit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1. 8 për qind në muajin janar 2024, krahasuar me muajin dhjetor 2023. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni mujor ishte 0.3 për qind në muajin janar 2024.

Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,3% në muajin janar 2024, krahasuar me muajin dhjetor 2023. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit të nëngrupet e COICOPI-it: perime (3,7%); qumësht, djathë dhe vezë (1,3%); si dhe bukë dhe drithëra (0,9%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,4% në IHÇK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat