11-vjeçarja Marianxhela Rodakaj kishte marrë rrugën nga Vlora për në Prishtinë për të realizuar një ëndërr të saj. Por ëndrra e saj mori tatëpjetën më 13 shtator të vitit 2023, ku ajo bashkë me të ëmën dhe vëllain e saj 9 vjeç, mbeten në mes të Prishtinë, pa marrë atë për të cilën kishin udhëtuar nga Vlora për në Prishtinë.
Kjo pasi Kreshnik Husaj nga Peja nuk u doli në fjalë, ani pse për të marrë pjesë në Shou Talentin e tij, e ëma e Marianxhelës kishte paguar 500 euro në emër të këtij aplikimi, që për dëshmi morën madje edhe një kontratë.
Kreshnik Husaj, i njohur me emrin Kika, i kishte premtuar familjes së vogëlushes se ai do t’i priste te stacioni i autobusëve në kryeqytetin kosovar.
Por jo që nuk i priti, por atë nuk mund ta gjenin as pas dy ditësh sorollatje poshtë e lart rrugëve të Prishtinës, madje as telefonin nuk e hapi. Ky ishte momenti kur përfundimisht arritën ta kuptonin që ishin mashtruar nga Kika.
E ëma e Marianxhelës, Albana, thotë se ajo kishte marrë premtime se përveç vajzës që do të këndojë, edhe i biri i saj Lukasi do t’i nënshtrohej në audicioni për aktrim, e më pas të dy mund bëheshin pjesë e një reklame në Amerikë.
Këto premtime ajo i pagoi 500 euro, ndërsa 200 të tjera thotë se i shpenzoi gjatë kohës sa qëndroi në Prishtinë dhe po provonte të binte në kontakt me Kreshnik Husajn.
Albana thotë se me Kreshnikun ra në kontakt përmes një tjetër nëne, e cila poashtu kishte aplikuar te personi i njëjtë, që më vonë do ta kuptonte se edhe ajo ishte mashtruar nga ai, sikurse edhe tre prindër të tjerë, me të cilët vuri kontakt pasi zbuloi se e gjitha ishte skemë mashtrimi.
E dëshpëruar dhe e mashtruar me atë që ndodhi, Albana Rodakaj u drejtua në Policinë e Kosovës, ku edhe bëri një denoncim për mashtrim, por ajo asnjëherë nuk kuptoi se çfarë ndodhi me rastin, pasi tashmë ajo jeton jashtë Shqipërisë.
E bija e saj, Marianxhela, e cila tashmë është në Dortmund të Gjermanisë, ende flet me entuziazëm për momentin kur mendoi se do të merrte pjesë në këtë program, por më pas dëshpërimi ishte i madh.
Por kjo që ndodhi nuk ia zbehu ëndrrën e saj që një ditë të prekë skenat botërore dhe pasionin e saj për muzikë.