“Fëmijët më kanë kërkuar bakllava, por s’kam asnjë cent”: Mijëra familje s’kanë para për drekën e Bajramit

Sociale

“Fëmijët më kanë kërkuar bakllava, por s’kam asnjë cent”: Mijëra familje s’kanë para për drekën e Bajramit

Më: 9 prill 2024 Në ora: 18:44
Foto ilustrim

Selvije Haliti nuk ka me çka ta gatuajë drekën e Bajramit – një traditë që besimtarët myslimanë do ta shënojnë të mërkurën e 10 prillit.

Thotë se familja e saj 6-anëtarëshe varet nga bamirësit dhe pensioni që merr vjehrra e saj.

“Fëmijët më kanë kërkuar torte e bakllava. Por, nuk kam asnjë cent, as për t’i blerë të gatshme, as për t’i përgatitur vetë”, thotë Selvija për Radion Evropa e Lirë.

Familja e saj jeton në një prej banesave të ndërtuara nga Komuna e Prishtinës, në periferi të qytetit, për familjet me kushte të rënda sociale, ato të viktimave të luftës dhe personat me aftësi të kufizuara.

Ajo tregon se dy fëmijë i ka të rinj për punë, ndërsa njërën vajzë të martuar. Thotë se bashkëshorti është i sëmurë dhe nuk punon, ndërsa vetë kujdeset si për familjarët, ashtu edhe për punët e shtëpisë.

“Vetëm vjehrra 95 vjeçe merr pension 100 euro në muaj. Nganjëherë nga kjo shumë i ndajmë 20 euro për ushqime, por pjesa tjetër i nevojitet vjehrrës për barna”, thotë Selvija.

“Ndonjë familjar apo bamirës na sjell ushqime”, thotë ajo kur pyetet se si ia dalin.

“Jeta jetohet gjithqysh. Deri para dy vjetësh kemi marrë ndihmë sociale prej 150 eurosh, por nuk e di përse na e kanë ndërprerë”, shprehet ajo, derisa qëndron ulur në divan.

Përfituesit e ndihmave sociale

Kosova me mbi 1.7 milion banorë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave (ASK), ka 15 skema sociale e pensionale, nga të cilat përfitojnë mbi 321 mijë qytetarë.

Përveç qytetarëve me vështirësi ekonomike, nga skemat sociale përfitojnë edhe personat me aftësi të kufizuara, familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës e të tjerë.

Mbi 20 mijë ishte numri i familjeve përfituese të ndihmës sociale – me mbi 78 mijë anëtarë – në muajin shkurt, sipas ASK-së.

Familjet marrin nga 70 deri në 250 euro në muaj, varësisht numrit të anëtarëve.

REL-i pyeti ASK-në se cili është niveli i varfërisë në vend, por nuk mori përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat