Numri i përdoruesve të drogës në Kosovë është rritur në tremujorin e vitit 2024, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Shqetësuese është edhe ngritja e numrit të femrave dhe të miturve të moshës 10-11 vjeçar që konsumojnë substanca narkotike.
Nga statistikat e Klinikës Psikiatrike në QKUK, vitet e kaluara, ka dominuar mosha 14-18 vjeç në përdorimin e drogave, dhe tani ka raste të 10-11 vjetarëve. Kurse, droga e njohur si kokaina është në rritje dhe në përdorim nga gjinia femërore.
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Faton Kutllovci, duke pranuar se po dominon gjinia femërore në përdorim të drogës, për KosovaPress, ka thënë se në repartin e sëmundjeve të varësisë janë vetëm nëntë shtretër, ndërsa gjatë këtyre tre muajve kanë qenë 35 pacientë.
Kutllovci: Në tre mujorin e parë diku rreth 35 persona kanë kërkuar ndihmë
“Në repart kemi nëntë shtretër të cilët janë në shërbim të personave që kërkojnë këto shërbime në klinikën tonë, dhe,,, në tre mujorin e parë diku rreth 35 persona kanë kërkuar ndihmë... Në çoftë se përpara kemi konstatuar që diku mosha kur fillohet me abuzimin me këto substanca ka qenë 14-15 vjeçar, tani është edhe shumë e ulët, kemi pasur raste 10-11 vjeçar...Mund të konstatojë se nga informatat që ne i kemi se shënon rritje numri i femrave që abuzojnë me substanca psikopative e posaçërisht me kokainë dhe është një dukuri që duhet hulumtuar”, ka thënë Kutllovci.
Se përdorimi i kokainës është në rritje te femrat, e thotë edhe drejtori i Qendrës Specialistike-Psikiatrike “ Labyrinth”, Safet Blakaj.
Blakaj nëpërmjet telefonit ka treguar se në tërë Kosovën, numri i përdoruesve të drogës është rreth 40 mijë persona, ndërsa në qendrën e tyre mbi 2840 persona.
Blakaj: Në databazën tonë janë mbi rreth 2840 persona deri në ditën e sodit
“Në databazën tonë janë mbi rreth 2840 persona deri në ditën e sodit...Në të gjithë Kosovën një numër i përafërt është diku rreth 40 mijë persona. Në këtë numër hynë edhe ata persona që përdorin marihuana. Ndërsa si përdorues problematik,,, janë diku 10 mijë persona...Përdorimi i marihuanës dhe posaçërisht i kokainës është në rritje te gratë”, ka treguar Blakaj.
Ndërsa, neuropsikiatri Sami Rexhepi ka theksuar se marihuana, po e zgjon një kod gjenetik që është i fjetur dhe po manifestohet edhe çrregullimi psikotik.
Rexhepi: Çrregullimi psikotik nuk ka shërim të plotë
“Më e keqja është fakti se shumë mosha të reja kanë filluar me e përdorë, diku 11-12 vjeçar... marihuana po e zgjon edhe një kod gjenetik që ndoshta është i fjetur dhe po manifestohet edhe çrregullimi psikotik, dhe kur të vjen deri te çrregullimi psikotik, atëherë nuk ka më kthim mbrapa, aty vetëm çka mundet pak me u funksionalizuar, por kurrë nuk mundet me u shëruar plotësisht... Përdorimi i drogave apo hyrja në varshmëri prej tyre nuk është një portë të cilën e hap dhe hynë, por thjesht rrëshqet aty dhe e kupton shumë më vonë se ke krijuar një varshmëri prej drogave”, ka treguar ai.
Sipas Policisë së Kosovës gjatë periudhës janar-mars të këtij viti janë arrestuar për substanca narkotike 159 persona, prej tyre 10 të mitur nga mosha 14-18 vjeç. Ndërsa gjatë vitit 2023 janë arrestuar 859 persona, ku prej tyre 74 kanë qenë të mitur.