“U laja këmbët burrave në shtëpi”, martesa e dhunshme e Rozit: Vjehrra ishte nxitësja më e madhe!

Sociale

“U laja këmbët burrave në shtëpi”, martesa e dhunshme e Rozit: Vjehrra ishte nxitësja më e madhe!

Më: 26 maj 2024 Në ora: 18:47
Rozi

Pas martesës së vëllait, Rozi ndodhej pikërisht në moshën kur mendonte për të krijuar jetën e saj e të gjente princin e kaltër. Ajo u fejua me shkuesi dhe mendoi se gjithçka ishte rregulluar, por aty jeta mori kthesë tjetër. “Për mua filloi një tatëpjetë e madhe”, u shpreh ajo në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.

Në shtëpinë bashkëshortore e priste dhuna, përulja dhe skllavërimi.

Rozi: Që në ditët e para filloi për mua një jetë e tmerrshme, një jetë plot dhunë, kryesisht psikologjike. Fillimisht, më vonë, jo shumë vonë, filloi edhe dhuna fizike. Kjo ishte çështje mentaliteti, çështje formimi. Unë nga një vajzë e emancipuar, një vajzë e gjithanshme, me sportin, me artin, me punën, me gjithçka, u ktheva në një skllave, në një shtëpiake që duhet të përulesha përpara të gjithëve, që duhet t’i laja edhe këmbët burrave të familjes ose mysafirëve burra që vinin dhe gjithsesi vazhdova punën…

Ardit Gjebrea: Po e thua në mënyrë figurative apo prej vërteti?

Rozi: Jo, vërtet.

Ardit Gjebrea: Duhet t’u laje këmbët mysafirëve që vinin?

Rozi: Po, patjetër. Ishte një disnivel kulture, formimi, botëkuptimi. Ata vinin nga një fshat i Shkodrës dhe me vete kishin marrë edhe mentalitetin.

Ardit Gjebrea: Sa  vjeç ishe ti?

Rozi: Unë në atë kohë isha 25 vjeçe.

Ardit Gjebrea: Po pse duhej, duhej se s’bën të bëhej kjo gjë?

Rozi: Ose do bëje atë, ose përndryshe… (bën gjest me dorë për të treguar dhunën fizike).

Rozi shton me keqardhje se vjehrra e ndjerë ishte “nxitësja më e madhe e dhunës”. Pas njëfarë kohe, Rozi ishte e vetmja që sillte të ardhura në shtëpi duke punuar m 3 turne e duke u kujdesur për të gjithë. Njëkohësisht, përjetonte edhe dhunën por më shumë lodhej nga dhuna psikologjike.

Rozi: Shkoja në punë, si çdo femër që ndryshon, herë i lidhja flokët, herë s’i lidhja, i lëshoja. Për këtë dhunohesha. “Pse i lidhi flokët sot, pse i lëshoi dje, pse veshi sot pardesy, pse veshi dje pallto?” Pra disa gjëra që sot duken shumë qesharake, por prej këtyre gjërave unë jam dhunuar, jam dhunuar sistematikisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat