Disa prindërve u kërkohen verifikime shtesë për vazhdimin e shtesave për fëmijë, MF-ja pa sqarime

Sociale

Disa prindërve u kërkohen verifikime shtesë për vazhdimin e shtesave për fëmijë, MF-ja pa sqarime

Më: 15 shtator 2024 Në ora: 23:06
Ilustrim

Një njoftim ka arritur në adresat elektronike të disa prindërve mbi nevojën për verifikime shtesë për fëmijët e tyre, ashtu që shtesat nga ana e qeverisë të vazhdojnë për ta.

Shtesat që ekzekutivi ka dhënë për fëmijët janë mirëpritur nga prindërit që nga kumtimi i lajmit.

Por, që kur ato u rriten muajin e kaluar, prindërit kanë filluar të pranojnë njoftime në llogaritë e tyre në e-Kosova se për vazhdimin e pranimit të mjeteve financiare duhen verifikime shtesë.

Njëra nga prindërit e shumtë që ka vizituar Njësinë 1 të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, me disa dokumente të kërkuara për vazhdimin e shtesave thotë se vërtetimi se janë nxënës, kopja e letërnjoftimit, kopja e faturës së energjisë elektrike janë vetëm disa nga dokumentet e kërkuara për atë që janë cilësuar si “verifikime shtesë”.

Por personi në fjalë thotë se për procesin ka mungesë informimi e njëherit, edhe telashe.

“Njoftimin e kam marrë te shkolla, më treguan prindërit. Më thane këto dokumente duhet t’i kem dhe t’i sjell këtu, tek “Qafa”. Më thanë që nëse nuk i dorëzoj, më ndalen shtesat e fëmijëve, me fjalë të prindërve, s’di diç tjetër. Sot më erdh edhe mesazhi në e-mail. S’kam diçka tjetër. Punë na nxorën, prita te drejtoresha më shumë se një orë tek drejtoresha për vërtetimin, mandej edhe faturë të rrymës u desht të merrja, letërnjoftimin fotokopje. Tash po më thonë se duhem të shkoj në Breg të Diellit”, deklaroi prindi në fjalë.

Njësoj u shprehen prapa kamerave edhe prindër të tjerë të cilët thonë se nuk patën informata të mjaftueshme për procesin.

Të tjerë thonë se kjo u bë si shkak i ndërrimit të vendbanimeve e megjithatë, informata mbi këtë nuk kanë dhënë nga Qendra për Punë Sociale.

Nga Qendra për Punë Sociale në Prishtinë nuk kanë dashur të deklarohen rreth procesit, gjersa kanë theksuar se luajnë rolin ndërmjetësues ndërmjet Ministrisë së Financave dhe qytetarëve.

Ndërkaq, ata shprehen se interesimi gjatë këtyre ditëve, ka qenë i lartë.

Televizioni ka pyetur Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale por e njëjta, ka thënë se përgjigjet duhet t’i jap Ministria e Financave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat